Fatbardha Behri Kaci është 70 vjeçaria që arriti të fitojë luftën kundër kancerit. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, ajo rrëfeu përballjen me sëmundjen, sfidën, dhimbjen por edhe emocionet e një kohë e cila ka kaluar për të, por që frymëzon këdo që sot po lufton me kancerin.
“Ishte viti 2010 kur unë zbulova se në trupin tim kisha kancer në miter, e kuptova që kisha diçka që nuk shkonte, një hemoragji më bëri të shkoja tek doktori. Ishte e vështirë, mbaj mend mora vajzën në telefon dhe ajo nisi të qante, i thashë: Po më qan për së gjalli, jo unë nuk dorëzohem, do luftoj!”, u shpreh e emocionuar Fatbardha .
70 vjeçaria u ndal tek një ndër etapat më të vështira që ajo përjetoi gjatë trajtimit disa vjeçar. Rrezatimin, Fatbardha e kujton si një ndër proceset më të vështira.
“Rrezatimi ishte shumë i vështirë, më ranë të gjitha organet e trupit. Ushqehesha vetëm me sallatë jeshile, isha në një gjendje të vështirë. Për mua kjo ka qënë një kohë shumë e dhimbshme. Tani më duket si një ëndërr e keqe, por sa herë e kujtoj më rikthehet çdo gjë”, shtoi Fatbardha.
Ajo dha një mesazh të fortë për të gjitha gratë që sot përballen me kancerin.
“Besoni tek vetja juaj, gjeni forcën brenda jush, lidhuni me Zotin, një ndihmë e madhe është dhe dashuria që familjarët japin”, përfundoi ajo.
Në studio një mesazh i fortë erdhi edhe nga farmacistja Judita Përndrecaj, e cila prej vitesh është vullnetare në ‘Europa Dona Albania’, Shoqata Shqiptare për luftën kundër kancerit të gjirit.
“Shërimi vjen nga ndërgjegjësimi, por edhe kontrollet periodike, të cilat parandalojnë, ndaj depistimi i hershëm është shpëtim”.
Judita Përndrecaj, foli gjithashtu edhe për një event të rëndësishëm që do organizohet më 11 tetor tek Sheshi Italia “Race for the cure” - Garo për kurën. Të ardhurat e organizimit do të shkojnë në ndihmë të grave për protezat e silikonit, një problematikë me të cilat ndeshen shumë gra në vend, pasi në Shqipëri ende këto proteza nuk rimbursohen nga shteti.
Komente
