E ka trashëguar zanatin nga i ati, por vështirë se mund ta përçojë tek i biri. Puna mes flakëve në punishten e kallajisjes së enëve prej bakri është e vështirë, na thotë Edmond Dhëmbi që ka mbi 30 vite që e ushtron këtë zanat.
“Këtu ka punuar babai, xhaxhai, këtu ka qenë një repart faktikisht, tani vetëm unë kam mbetur, nuk ka të tjerë që ta vazhdojnë. Unë dua t’ia trashëgojë djalit, por e shoh të vështirë, koha ndryshon dhe janë të pakta kërkesat”, tha mjeshtri.
Mjeshtri prodhon kazanë me porosi nga fermerët, kryesisht kur afron koha për zierjen e rakisë.
‘Tani për momentin bëra një kallajisje kazani, më përpara ka pasur tregje dhe kërkesa, ka pasur blerje. Por tani ka rënë, është e vështirë. Sipas porosisë, unë nuk është se prodhoj. Mund të bëj të gjitha punimet e bakrit’, tha ai.
Vite më parë në Berat kishte një repart, ku punonin shumë njerëz, ndërsa tani 58-vjecari Emdond Dhëmbi është i vetmi usta për kallajisjen e kazanëve. Ai thotë se më parë fermerët kërkonin tava rrushi , kusi qumështi, jamak por për shkak të rënies së numrit të popullsisë nëpër fshatra ka rënë edhe puna e tij në prodhimin e enëve të bakrit.
“Kjo punë ka ngelur sezonale, vetëm kur bëhet rakia. Fshati i ka përdorur më shumë këto enët e bakrit, pak qyteti”, tha mjeshtri.
Edhe pse mes vështirësive, 58-vjecari e ushtron me dëshirë këtë zanat që me dhimbje shprehet se po shkon drejt zhdukjes....
“Duhet durim, është zanat që të shtarosh me durim dhe po se pate durimin nuk e ushtron dot me qejf. Zanati i punimit të bakrit është duke u zhdukur” tha ai.