Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen e dytë në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet për shpërdorim detyre më shumë se një herë, e kryer në bashkëpunim.
Togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj, për miratimin e akuzës dhe kalimin në gjyq, e gjithashtu të mbrojtjes për gjykim të shkurtuar.
Më 20 maj do të zhvillohet seanca gjyqësore në themely Goro u kallëzua nga Fredi Beleri me pretendimin se i ka dhuruar në vitin 2016 pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos, 4263 metra sipërfaqe tokë.
Të pandehur në këtë dosje janë marrë dhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë dhe Jerasimo Bashi, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë.
Për këtë të fundit u nda çështja për shkak se nuk është ekzekutuar deri më tani masa e sigurisë. Dy sipërfaqet e tokës të quajtura “Vllatorja” dhe “Moskato”, rezultojnë me një vlerë financiare prej 1 milion euro. Hetimi për këtë çështje është nisur fillimisht nga prokurori i Vlorës Arjan Xhaferaj dhe më pas është transferuar në SPAK.
Një muaj më parë, Gjykata e Posaçme dënoi me 3 vite e 1 muaj burg dhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite, Jorgo Goron, ish-kryebashkiakun e akuzuar për shpërdorim detyre në dy episode dhe mos deklarim pasurie, teksa konfiskoi edhe mbi 10 mijë m2 tokë që përfitoi Artan Gaçi, ku do të ndërtonte me statusin e investitorit strategjik.
Lidhur me konfiskimin e kësaj prone, këtë të mërkurë, ishte parashikuar të zhvillohej seanca me objekt kundërshtimin e kësaj mase nga ana e Artan Gaçit, por që seanca u shty për shkak se prokurori i çështjes kishte angazhime të tjera.
Komente
