Në ditën e përkujtimit të Holokaustit Evropa përkujton sintit dhe romët. Data 2 gusht shënon prej vitesh në Evropë ditën përkujtimore të Holokaustit ndaj sintive dhe romëve.
Në vitin 1944 me 2 gusht nazistët vranë në kampin e përqendrimit dhe shfarosjes Auschvitz-Birkenau në dhomën e gazit në ndërtesën 13, 4.300 sinti dhe romë të pafajshëm e të fundit në repartin famëkeq, që quhej „kampi i ciganëve".
Dita si kjo e 2 gushtit është simbol për Holokaustin e nazistëve, ku më shumë se 500.000 sintive dhe romëve në Europën e pushtuar iu mohua e drejta për të jetuar.
Para 8 viteve, në 2015, Parlamenti Evropian e shpalli 2 gushtin Ditën Evropiane të Përkujtimit të Holokaustit për sintit dhe romët. Dhe të gjitha vendeve anëtare të BE vazhdohet t'u bëhet thirrje, që 2 gushtin ta shpallin ditë përkujtimore të Holokaustit ndaj sintive dhe romëve në vendet e tyre.
Polonia ishte i pari vend në Evropë, që e pranoi 2 gushtin si ditë përkujtimore. Për romët dhe sintit në mbarë botën e sidomos në Evropë kjo është një ditë me rëndësi të veçantë.
Përkujtimi i viktimave të gjenocidit të nazistëve është kthyer në një pjesë të përhershme të identitetit tonë dhe pjesë e pandashme e historisë fatkeqe e të dhimbshme ndaj romëve dhe sintëve.Në botëkuptimin rom Holokausti nuk interpretohet vetëm si një tragjedi e romëve, që përjetuan krime çnjerëzore, ai është më tepër se kaq, është unik dhe i pakrahasueshëm me forma të tjera barbare e çnjerëzore, që janë shfaqur gjatë historisë së njerëzimit.
Në kohën naziste 'teknikja' e zëvendësoi 'etikën'. Dhe arsyeja instrumentale e shkëputi në tërësi njeriun prej emocioneve, ndjesive, pasioneve dhe parimeve morale. Ndërsa njeriun modern të asaj kohe e privoi nga thelbi i tij. Ai interesohej vetëm për rritjen e efiçiencës në punën e tij ”teknike”- pa u përlyer nga ndonjë përgjegjësi morale. Holokausti nuk ka ndodhur vetëm për shkak të njerëzve sadistë, por për shkak të indiferencës dhe shkëputjes totale nga përgjegjësitë morale të njerëzve në atë „epokë". Një de-humanizim i aparatit burokratik e ka bërë të mundur vrasjen e një numri kaq të madh njerëzish në një periudhë aq të shkurtër kohore. Me pasoja të mëdha për njerëzimin dhe civilizimin.
Diskriminimi, paragjykimet dhe mundësitë e pabarabarta për romët dhe sintët në Evropë
79 vite nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore jetesa e romëve dhe sintëve pothuajse kudo në Evropë vazhdon të has në diskriminim dhe paragjykime ndaj këtij komuniteti në çdo sferë të jetës, ku jetojnë të shpërndarë në pothuajse të gjitha vendet evropiane. Vendi me popullsinë më të mëdha rome në Evropë është Rumania me rreth 2 milionë romë. Hungaria. Gjermania, Spanja, Franca, dhe Bullgaria kanë gjithashtu me qindra mijëra romë.
Veçanërisht gjatë kohës së pandemisë Covid 19 dhe pas saj u desh një përpjekje e jashtëzakonshme për mbijetesë e romëve të varfër, e cila arriti përmasat e një sfide të vërtetë. Në ato ditë doli në pah se kjo popullatë rome është e fundit që mbështetet, e fundit që dëgjohet dhe e para që fotografohet, kur ndihmohet.
Në ditë si kjo e 2 gushtit shpesh vihet në dukje, se për fat të keq romët dhe sintit vetëm në ditë si këto gëzojnë interesin publik. Kjo ditë është shpesh thjesht konvencion, rezultat i një marrëveshjeje publike. Jo se është gabim, por për sqarim, kjo ditë ende nuk e ka fituar rëndësinë e synuar për romët. Megjithatë ajo ka vlerë për ekzistencën e kësaj pakice, e cila ditët e tjera të vitit është më pak e pranishme, megjithëse duhet theksuar, që jeton prej më shumë se shtatë shekuj në Europë.
Njerëzimi si subjekt edhe ne romët si viktima duhet të mësojmë nga Holokausti. Detyra jonë morale, si qenie njerëzore, duhet të mbështetet në burimin tonë zanafillor te përgjegjësia themelore e njeriut ndaj njeriut.
”E keqja nuk është e plotfuqishme. Asaj mund t'i bëhet rezistencë”, shprehet autori Zygmunt Baumann./DW