Kronikë

E kërkonte Spanja për mashtrim me call-centera, kapet në Tiranë për përdorim celulari në makinë anëtari i organizatës së Amant Josifit

14 Korrik, 12:38| Përditesimi: 14 Korrik, 14:30

  • Share

Një anëtar i organizatës kriminale të Amant Josifit për mashtrim me call-centerat, është arrestuar në Tiranë krejt rastësisht. Në pranga ka rënë Ndriçim Sula 37 vjeç, i cili rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Spanja.

Sula u ndalua nga Policia Rrugore e Tiranës duke përdorur celularin gjatë drejtimit të makinës. Por pas verifikimeve rezultoi se Ndriçim Sula ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle, si pjesë e organizatës kriminale të Amant Josifit, për mashtrim me call-centera. Ai pritet të ekstradohet në Spanjë për t’u përballur me drejtësinë.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Tiranë/Vijon operacioni policor ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”.

Kapet nga Policia Rrugore e Tiranës, pjesëtari i një organizate kriminale të akuzuar në Spanjë, për mashtrim me pasoja të rënda.

Gjatë monitorimit sistematik që kryhet në të gjitha akset e kryeqytetit, me pajisje bashkëkohore dhe shërbime të shtuara, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës konstatuan shtetasin N. S., 37 vjeç, duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit. Nga verifikimet e kryera menjëherë pas ndalimit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranë rezultoi se 37-vjeçari ishte në kërkim për llogari të autoriteteve spanjolle.

Gjykata e Seu de Urgell i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan provizorisht, në kuadër të operacionit "The Wanted", shtetasin N. S., për ekstradimin e të cilit Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin.

Organizata e mashtrimit me call-centera e Amant Josifit u godit gjatë një operacioni të përbashkët nga SPAK, Eurojust dhe Europol në vitin 2022. Kjo organizatë akuzohet se ka përfituar 2.4 miliardë Dollarë përmes mashtrimeve në disa shtete të Europës.

Në Shqipëri u kontrolluan 6 qendra call-centerash të lidhura me “Milton Group”. Pikat e call-center rezultuan në pronësi të 3 kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi. Qytetarët spanjollë, duke u kontaktuar nga këta “call center”, josheshin përmes mashtrimit për të investuar shuma monetare në tregjet e kriptovalutave, mallrave dhe produkteve të tjera financiare. Qytetarë të mashtruar kishte edhe në Gjermani e Itali. Në total rezultojnë të mashtruar mbi 200 mijë qytetarë në mbarë Europën.

Në hetimin e autoriteteve europiane dhe shqiptare ishin 15 call-centera, në disa vende të Europës, 6 prej të cilëve ndodheshin në Shqipëri. Biznesmeni Amant Josifi, i cili ishte shpallur në kërkim, u arrestua fillimisht në Dubai me qëllim ekstradimin në Spajnë, por më vonë u la i lirë nga autoritetet e atij shteti. Ai vijon të kërkohet nga Spanja për mashtrimin me call-centerat.

V.GJ /SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    9 vite nga reforma në drejtësi, a janë përmbushur pritshmëritë?