Ernest Muçi është dëshirë e Fulhamit në Premier League. Eksperti i merkatos, Fabrizio Romano bën me dije se klubi nga Londra është i interesuar për shërbimet e 22-vjeçarit të Kombëtares, me djaloshin që ka gjithë potencialin për t'u bërë transferimi më i shtrenjtë nga Legia e Varshavës.
Shqiptari spikati në përballjen kundër Aston Villas në Conference League, duke shënuar edhe në Angli. Në verën e 2023 ishte edhe Celta Vigo që kërkoi shërbimet e Muçit, me transferimin që nuk u krye.
Trajneri i tij te Legia, Kosta Runjaic me shaka disa kohë më parë tha se Muçi mund të shitet deri në 25 milionë euro nëse kap formën e duhur. Veç trajnerit, edhe shoku i tij te Legia, Joseu ka shumë besim se 22-vjeçari mund të jetë transferimi më i shtrenjtë i Legias.
"Nëse Muci maturohet, ju siguroj se do të jetë një nga lojtarët që do të shitet me çmimin më të lartë në historinë e Legias. Ai që tani mund të jetë një lojtar "top" në fushë dhe mund të përfundojë në një klub të madh në të ardhmen. Shpresoj që një ditë të transferohet për dhjetëra milionë euro. Ai ka potencial të madh dhe mund të shkojë larg. Por kjo kërkon pjekuri dhe rritje të rolit në ekip. Pastaj ai do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për ekipin", tha Josue.
Në shkurtin e 2021 Muçi la Tiranën në Superligë dhe për 500 mijë euro kaloi te kampionët e Polonisë. Për Kombëtaren Muçi ka luajtur shtatë ndeshje dhe ka shënuar dy gola.