Juventusi dhe Roma luajnë nesër në orën 20:45 për javën e 18-të të Serie A. Përpara transfertës në Torino, trajneri i Romës, Jose Mourinho ka thënë se Marash Kumbulla nuk ia ka dalë të lërë pas plotësisht dëmtimin dhe nuk do jetë pjesë e ekipit. Më pas portugezi foli edhe për Juventusin edhe frenimin e ardhjes së Bonuccit në "Olimpico", kjo falë presionit të tifozëve.
"Problemet në prapavijë? I dinim shumë mirë vështirësitë në repartin e mbrojtjes, e dimë edhe që Ndicka do të largohet në janar për të luajtur Kupën e Afrikës. Po ashtu e dinim edhe që Kumbulla do të ishte jashtë pjesën e parë të sezonit, ashtu si Smalling. Meqë jemi te Kumbulla, ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen me Juventus", tha fillimisht trajneri.
Më pas portugezi tha se Leo Bonucci nuk do jetë pjesë e Romës pasi kështu vendosën tifozët, që janë një pjesë e rëndësishme e Romës.
"Nuk dua të mendoj për merkaton sepse shpërqëndrohem, por ju them se sa i përket Bonuccit është mbyllur gjithçka. Zemra e klubit janë tifozët dhe nëse diçka nuk iu pëlqen atyre, atëherë vështirë që të realizohet", tha Mou.
Trajneri më pas u ndal edhe te Juventusi, që sipas tij është një ekip që futet në fushë për tri pikë. Vlerësim edhe për Allegrin.
"Sa i takon ndeshjes, ndaj Juventusit duhet shumë personalitet. Ndaj tyre nuk mjafton vetëm taktika apo ana fizike. Juventus është mësuar që të luaj gjithnjë për t’i fituar ndeshjet, pastaj Allegri mbetet Allegri. E dimë shumë mirë se çfarë presim nga Juventus dhe Allegri. E cilësojnë si trajner që mendon vetëm për rezultatin dhe për mua është aspekti më pozitiv i futbollit, pavarësisht se disa e shohin si një aspekt negativ", tha Mourinho.
Pas 17 ndeshjeve në Serie A, Juve me 40 pikë mban vendin e dytë, katër pikë më pak se Interi kryesues. Roma me 28 pikë renditet në pozitën e gjashtë.