Konferenca për shtyp e Sylvinhos fliste vetëm përmes buzëqeshjes e natyrisht duket se tani trajneri i kombëtares shqiptare di të përfaqësojë në çdo tryezë ngjyrat kuqezi.
Një gazetar serb i pranishëm në sallë, e pyeti atë për festën e golit të Rei Manajt. Sulmuesi lushnjar festoi me shqiponjën dykrenare duke ngjallur një lloj irritimi te serbët e pranishëm.
E megjithatë, Sylvinho këtë radhë zgjodhi t'u përgjigjej me ironi duke iu kthyer në shqip: "Përshëndetje!", kjo ishte përgjigja e parë e tij si për t'i treguar edhe një herë se në Serbi dje flitej shqip.
Edhe pse përkthyesja Lenida Halilaj i tha që duhej të fliste në italisht, ai ia ktheu fillimisht: "Po e përshëndes në gjuhën shqipe, më tej do flas italisht", vijoi ai.
Ndërsa festën e Manajt e përshkroi në këtë mënyrë: "Në fakt nuk e kam parë si episod, por fakti që ka marrë karton të verdhë, tregon se do të ketë bërë diçka. Ai është lojtar shumë i mirë. Ka shënuar shumë gola, është lojtar shumë i rëndësishëm. Mes skuadrave ka pasur respekt në fushë, por i tillë është futbolli. Por, jam i lumtur nga ajo që kemi parë dje. Edhe Serbia është pritur mirë në Shqipëri. Një raport shumë pozitiv".
Kujtojmë që kombëtarja shqiptare arriti të triumfonte në transfertë 1-0 në një sfidë për jetë a vdekje sa i përket fatit për kualifikimin në Botëror.
Në Serbi humbja ndaj Shqipërisë po konsiderohet si një nga disfatat më të mëdha në historinë e tyre. kuqezinjtë e Sylvinhos fituan 1-0 në mes të Serbisë, me Rey Manajn që si një “shqiponjë” e vërtetë fluturoi mbi të gjithë për t’i dhënë 3 pikë shumë të rëndëishme ekipit tonë.
Por mediat serbe nuk e “kapërdijnë” dot diçka të tillë dhe këtë sfidë e quajnë skandaloze. “Humbja më e rëndë në histori” është titulli i artikullit të “Kurir”. Gjithashtu kjo media nuk kursen ass kritikat ndaj futbollistëve për paraqitjet e tyre në fushën e lojës. Madje, sugjeron se ndërrimi i trajnerit do të ishte si mënyrë për të rifituar drejtimin.
Siç dihet aktualisht pas kësaj disfate Serbia mban vendin e 3-të në grupin K me 7 pikë, 4 më pak se Shqipëria, por serbët kanë 1 ndeshje më shumë për të luajtur. Ndërkohë kryeson Anglia me 15 pikë.
Ne komentin e saj e përditshmja Danas shkruan:
“Shqiponjat” (pseudonimi i kombëtares serbe) u zhvendosën si zogj shtegtarë drejt jugut, por ky largim i detyruar politik nga Beogradi në Leskovc nuk solli asnjë përmirësim në cilësinë e lojës nën drejtimin e trajnerit Dragan Stojković – Piksi.
Pas turpërimit në ndeshjen kundër Anglisë (0:5), futbollistët e Serbisë pësuan një tjetër nokaut në shtëpi, këtë herë ndaj Shqipërisë – një skuadër që gazeta e përshkruan si me “njohuri dhe kapacitete modeste”.
Sërish, lojtarët e kombëtares serbe zhgënjyen kombin. Ata tentuan kryesisht përmes Dušan Vlahović-it të mposhtnin portierin Strakosha, por siç ndodh shpesh në futboll, ndëshkimi erdhi në fund të pjesës së parë.
Shënues ishte Rei Manaj, në minutën 45+1 të pjesës së parë. Pas golit, Manaj shkaktoi skandal dhe provokoi duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, gjë që ndezi reagime dhe fyerje nga tribunat.
Atmosfera në stadiumin “Dubočica” në Leskovc, përpara rreth 5.000 shikuesve, ishte e zbehtë dhe e ftohtë – “ashtu siç e meriton futbolli serb sot”, shkruan gazeta.
VIJESTI
”Shqipëria çudit”, shkruan gazeta malazeze ”Vijesti”
Manaj tronditi Serbinë (0-1), në momentet e fundit të pjesës së parë, dhe serbët do të duhet të mposhtin Anglinë në ”Ëembley” nëse duan të qëndrojnë në garë për vendin e dytë.
Shqipëria mposhti Serbinë në Leskovac në Grupin K, i cili udhëhiqet bindshëm nga Anglia.
Përpara vetëm katër mijë spektatorëve në stadiumin “Duboçica”, goli i Ray Manaj në minutën e parë të kohës shtesë në pjesën e parë vendosi ndeshjen.
Shqipëria ka një avantazh prej katër pikësh ndaj Serbisë në garën për vendin e dytë, por me një ndeshje më shumë.
Një fitore në Andorra muajin e ardhshëm mund t’i çojë shqiptarët në fazën eliminatore, përveç nëse Serbia e mposht Anglinë në ”Ëembley”.
Më pas, Shqipëria do të ketë një ndeshje me Anglinë në Tiranë në raundin e fundit.
Autoritetet në Serbi vendosën që ndeshja vendimtare të luhej në Leskovac, në një stadium me kapacitet prej 8 000 vendesh, i cili u ul më tej me 20 për qind për shkak të penalizimit të UEFA-s.
E gjitha kjo sepse ndeshja kundër Anglisë në Beograd muajin e kaluar u shoqërua me protesta masive nga tribunat kundër regjimit të Vuçiçit dhe kërkesa për dorëheqjen e trajnerit Dragan Stojkoviç.
Pati edhe një përleshje në tribuna kur një grup huliganësh të afërt me regjimin filluan të godisnin tifozët që po brohorisnin kundër Vuçiçit.
Për shkak të gjithë kësaj, ndeshja me Shqipërinë u zhvendos në Leskovac dhe nuk kishte bileta në shitje.
Një fitore e merituar për Shqipërinë, megjithëse Serbia ishte më e rrezikshme në gjysmën e parë të ndeshjes. Pasi morën epërsinë, shqiptarët morën kontrollin dhe e ruajtën epërsinë e tyre pa probleme të mëdha.
Në Leskovac pati vetëm tensione sporadike. Himni shqiptar u fishkëllye para fillimit të ndeshjes.
B92
”Një humbje e dhimbshme”, e konsideron media e njohur serbe B92 mposhtjen e Serbisë nga Shqipëria.
Në stadiumin “Duboçica”, skuadra e Serbisë mbeti edhe më prapa në garën për vendin e dytë dhe një vend në fazën eliminatore për Kupën e Botës.
Me këtë humbje, Serbia mbetet katër pikë prapa Shqipërisë, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Pra, edhe me një fitore ndaj Andorrës pas tre ditësh, fati i “Shqiponjave” nuk është më në duart e tyre.
Trajneri Dragan Stojkoviç vendosi t’u japë një shans dy debutuesve në këtë ndeshje vendimtare — Veljko Milosavljeviç dhe Aleksandar Stankoviç.
Ky i fundit bëri paraqitjen e tij të parë për ekipin kombëtar në të njëjtën datë që babai i tij, Dejan, luajti ndeshjen e tij të fundit — saktësisht 12 vjet më parë.
Komente

Asgjë të keqe nuk vjen nga një simbol!! Disa bëjnë kryqin para gjoksit, disa kryqëzojnë duart...çtë keqe ka?!! Urime çunave
Përgjigju