Opinion

E majta në Shqipëri dhe Kosovë dhe ‘floriri’ i Zogut si model i kapitulluar i së djathtës

26 Gusht 2021, 10:09| Përditesimi: 26 Gusht 2021, 10:16

  • Share

Aq e kulluar ka qenë veprimtaria patriotike dhe atdhetare e Fan Nolit dhe mbështetësve të tij, saqë sot pinjollët e Ahmet Zogut në emër të patriotizmit të rremë nuk guxojnë dot t’iu përmendin as emrin. Pinjollët e Zogut janë ata që u edukuan në kohën e komunizmit, milituan si anëtarë partie ose përkrahës të betuar të regjimit deri në rënien e tij dhe bënë karrierë politike si të djathtë ose të majtë, pa e ditur as vetë se çfarë janë në të vërtetë. Shumica e tyre e mbiquajtën veten “demokratë”, gjatë tranzicionit të tejzgjatur.

Sot e kësaj dite, prej tyre, me dinakëri çdo dështim i Shqipërisë gjatë 30 viteve të fundit i atribuohet posaçërisht komunizmit dhe gjoja pasuesve të tij. Prandaj, në vend të kësaj, është me shumë rëndësi që të bëhet një krahasim me një periudhë tjetër. Duke e konsideruar komunizmin një “periudhë të errët”, do të ishte më mirë të krahasohej periudha pas ’90, me të vetmen periudhë tjetër të historisë së shtetit shqiptar para se në pushtet të vinin komunistët.

Për gjithçka i dhanë kombit shqiptar deri edhe jetën, të adhuruar në Shqipëri, Kosovë, në çdo trevë shqipfolëse, edhe nga shqiptarët e diasporës, Noli dhe mbështetësit e tij si formacion politik mund të thuhet se patën fatin më të trishtë dhe tragjik, në historinë politike të Shqipërisë.

Ata ishin të vetmit që nuk e ngritën karrierën mbi interesa personalë. Nuk patën për këtë arsye kur morën pushtetin përmes revolucionit, si e vetmja mënyrë, përkrahjen e duhur të fqinjëve (që e “donin” aq shumë Shqipërinë) dhe të faktorit ndërkombëtar (po themi Italia), ndaj edhe dështuan. Mbi 80 për qind e shqiptarëve as nuk e mësuan dot se kur erdhën dhe as kur ata ikën nga pushteti. Por megjithatë ata nuk u dorëzuan, ishin të vetmit që nuk e tradhtuan kurrë njëri-tjetrin. Jetuan përmes idealeve të vërteta. Atdhedashuria ishte pasuria e tyre e vetme. Shumica nuk krijuan dot as familje, veç emrit nuk lanë asnjë pasuri. U përjetësuan të gjithë bashkë, në histori. Nuk ka dalë asnjë individ dhe as forcë politike sot, pavarësisht çdo përpjekje të dëshpëruar, që t’i baltosë.

Me përjashtim të Avni Rustemit, i cili vrau Esat Toptanin në Paris, pranoi krimin dhe u shpall i pafajshëm nga një gjykatë franceze, ndërsa për shumë shqiptarë njihet sot si hero dhe ‘simbol i plumbit ndaj tradhtisë’, të tjerët nuk e drejtuan kurrë pushkën ndaj asnjë shqiptari. Ata luftuan për një Shqipëri më të denjë, por u tradhtuan nga dora e shqiptarëve dhe u martirizuan prej pabesisë së tyre, për një mbretëri më të mirë. Megjithatë, qytete, universitete, rrugë, shkolla në Shqipëri dhe Kosovë, pa asnjë imponim krenohen sot me emrin e tyre.

Sot ata admirohen kudo ku ka shqiptarë, gjerësisht nga populli, çka tregon se populli shqiptar beson në virtyte, ideale të vërteta, dhe i pranon vlerat më të mira përfaqësuese.

Kjo është ndoshta fotoja e vetme e Fan Nolit me dy nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, që është realizuar në gushtin e vitit 1924. Kryeministër në atë kohë vetëm për pak muaj, Fan Noli, së bashku me Luigj Gurakuqin (ministër i Financave) dhe Bajram Currin (bashkëpunëtor besnik) udhëtuan pak javë pas marrjes së pushtetit drejt Gjenevës, për të marrë pjesë në sesionin e pestë të Asamblesë së Lidhjes së Kombeve. Se cili është qëndrimi dinjitoz i Nolit të madh në Lidhjen e Kombeve, ashtu siç ka qenë çdo vepër e tij, këtë nuk e pranojnë vetëm ata që kanë punuar dhe punojnë për interesat e tyre personalë, apo të ndonjë vendi tjetër që “minon” të ardhmen e kombit shqiptar.

Pas ‘90 ata që u mallëngjyen dhe flasin pa pushim për “suksesin” personal të Zogut, jo rastësisht kanë heshtur mbi veprën e Nolit, Gurakuqit etj, sepse tërë karrierën politike e ngritën përmes mashtrimit ideologjik duke u hequr si anti-komunistë dhe duke ngritur në sistem të njëjtin model, atë familjar, me besimin se (kamxhiku do të vlejë vetëm për popullin që nuk është me ta). Ndërsa përmes një projekti famëkeq antishqiptar, duke shkatërruar tërë veprimtarinë prodhuese të ekonomisë sonë, më pas minuan arsimin dhe kulturën, ata besuan se do t’i verbonin shqiptarët njësoj si Zogu dhe do t’ia trashëgonin partinë dhe pasurinë familjes dhe disa prej oborrtarëve të tyre më besnikë, po ashtu si mbreti i dikurshëm.

Nëse do të ishte në dorën e tyre, Bajram Curri sot nuk do të kishte më këtë emër në rrethin e tij, universiteti i Shkodrës nuk do të quhej “Luigj Gurakuqi”, as “Fan Noli” nuk do të kishte më të njëjtin emër në universitetin e Korçës. Dhe sheshi “Avni Rustemi” mund të mbante ndonjë emër tjetër, pse jo atë të Esat pashë Toptanit. Rrethit të Matit mund t’i jepet emri i Ahmet Zogut.

Por projekti ndonëse funksionoi në forma të ndryshme një herë para se të vinte në pushtet regjimi komunist, dhe një herë tjetër pas rënies së tij, dështoi me sukses në të dy rastet. Themi dështoi me sukses, sepse në të dy rastet kundërshtarët e djeshëm dhe të sotëm të Nolit, ndryshe nga ai, qeverisën gjatë dhe u pasuruan shpejt.

Sot e përbuzin në heshtje veprën e Nolit ata politikanë, të cilët nuk ia përmendin kurrë emrin. Sikurse nuk kujtohen kurrë as për veprën e Luigj Gurakuqit, Bajram Currit, Avni Rustemit, Hasan Prishtinës dhe kështu me radhë të gjithë kundërshtarëve kryesorë të Zogut, të cilët kryeministri, presidenti dhe më pas mbreti famëkeq i shqiptarëve i degdisi ose i vrau pabesisht pas krahëve. (Vrasjet janë ende edhe sot pa asnjë autor).

Ashtu siç funksiononin mbretëritë e Europës në Mesjetë ata besuan dhe ndoqën modelin më të shëmtuar të Ahmet Zogut, mbretit të parë dhe të fundit absolut shqiptar të Europës, i cili për të pasur sa më shumë siguri dhe qetësi në mbretërinë e tij, veproi në dy plane: asgjësoi thuajse të gjithë kundërshtarët politikë dhe la shumicën dërrmuese të popullit në analfabetizëm dhe mjerim. Ai ishte edhe i vetmi politikan që për interesa personalë bashkëpunoi hapur me fqinjët pushtues dhe grabitqarë. Për Kosovën mbretin “patriot” e strehuan në Beograd dhe me të marrë pushtetin ai dhe ata si ai shitën në emër të të njëjtit “patriotizëm” që flitet sot gjithçka mundën, deri edhe territoret shqiptare.

Në raste të ngjashme sot pasuesit e tij nëse iu kërcënohet siguria dhe pasuria, ëndërrojnë karvanin ngarkuar me florinj, të shoqëruar nga oborrtarët e tyre më besnikë, për t’u larguar pa turp nga Shqipëria. Nëse dëbohen njësoj si Ahmet Zogu, ata nuk e kanë për turp të vijnë dhe ta mbajnë pushtetin me ndihmën e qeverisë serbe dhe të mercenarëve rusë. Ata nuk e kanë për turp as që të bashkëpunojnë për interesat e tyre personalë me ndonjë qeveri fashiste perëndimore apo të largohen pa turp nga vendi, kur të mos iu duhen më as dreqit.

Të sotmit që harrojnë Nolin dhe në vend të tij admirojnë e vlerësojnë Zogun nuk e dinë as vetë se çfarë vlerash përfaqësojnë. Nuk e dinë nëse janë të majtë, të djathtë, liberalë, konservatorë, të qendrës, të përzier, tiranë, demokratë, marksistë apo imperialistë.  Kurrë nuk ballafaqohen me fakte dhe ide, por kur iu kërcënohet interesat baltosin dhe sulmojnë me keq se në komunizëm cilindo.

Është kjo një ndër arsyet kryesore se përse e majta, pavarësisht se kritikohet si e kaluara e komunizmit, e vlerësoi siç duhet veprimtarinë e Nolit dhe mbetet alternativa e vetme qeverisëse sot në Shqipëri. E majta qeveris aktualisht edhe në Kosovë. Në mungesë të një alternative të djathtë, e majta në Kosovë edhe më radikale se ajo e Shqipërisë është shfaqur si një rivale e saj në plan kombëtar. Nuk është rastësi që e njëjta e majtë në Kosovë i jep të njëjtin vlerësim figurës së Nolit dhe përkrahësve të tij. Kështu që për të pasur një demokraci sa më funksionale mbarëkombëtare, i takon së djathtës në Shqipëri dhe Kosovë të rithemelohet nga e para, bazuar mbi të vërtetat historike, për një të tashme dhe të ardhme më të mirë të sajën dhe të mbarë kombit tonë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?