Flamur Noka, Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu

Opinion

E mira është të mos ndalen

13 Tetor 2021, 11:01| Përditesimi: 13 Tetor 2021, 11:03

  • Share

Kur na u vërsulën neve me tërbim para ca viteve, sepse u kishim sharë Lulin, pata një lloj habie në fillim, megjithëse e njoh mirë këtë lloj teknologjie staliniste dhe isha në një farë mënyre i përgatitur.

Kisha menduar gabim që do t’u duhej pak kohë derisa të merrnin marshin e damkosjes se armikut, sepse shumica prej nesh kishte një jetë me kontribute dhe grada në atë parti, por mbi të gjitha, se, siç thotë edhe vetë doktori tani “ne na kishin vrarë në pritë” dhe kjo ishte shumë evidente.

Por ata nuk na lanë gjë pa thënë, duke e ndërruar regjistrin pa asnjë mëdyshje, me një shpejtësi të frikshme dhe ne, që kishim rënë të flinim si përfaqësues të denjë të popullit, u gdhimë papritur si të korruptuar, tradhtarë të atdheut dhe shërbëtorë apo paterica të Edi Ramës.

Tani nuk habitem fare, kur shikoj se janë pothuajse të njëjtët, që i janë qepur në shpinë Lulzim Bashës, i cili sigurisht që nuk më dhimset hiç. Dhe kur dëgjoj dhe lexoj se çfarë thonë për të sot më duket vetja shumë naiv që kam pritur atëherë që të kishte ndonjë ndjenjë vetëpërmbajtjeje, si prej atyre që shtypin butonin, ashtu edhe nga ata fanatikët e verbër, që mendojnë dhe veprojnë vetëm me telekomandë.

Madje them se na pak na kanë bërë, me ç’po më shohin sytë me Lul “besëprerin”, të cilin e kanë mbajtur në krahë si udhëheqës të madh për 8 vjet me radhë, madje e votuan edhe për 4 vjet të tjera, derisa i erdhi mesazhi “prapsohu”. Të cilin janë gati ta mbajnë prapë në krahë ndoshta, por këtë radhë për ta përcjellë prej andej nga nuk kthehet më, po të kishin mundësi.

Ndaj mendoj se do të jetë mirë për të gjithë që të mos ndalen dhe ta çojnë deri në fund këtë që kanë nisur. Një palë duke mallkuar atë që nuk duhet të kishte lindur fare, por meqë kjo nuk mund të realizohet më, të paktën tani të kthehet andej nga ka ardhur. Kurse ai tjetri, duke shtrënguar letrat dhe çelësat e selisë, sepse anëtarët e PD nuk guxon, as t’i mbledhë dhe, as t’i takojë më. Duhet të jetë rast unikal në botë që kryetari ka frikë partinë e vet.

Mbase kjo mund të shërbejë për t’i shtuar radhët e atyre shqiptarëve racionalë, të cilët janë neveritur dhe nuk shohin më asnjë shpresë nga të dyja palët ndërluftuese, që po kacafyten kaq shëmtuar për pronësinë e Partisë Demokratike.

Ndërkohë, ky është një spektakël i garantuar për të gjithë ata që duan ende prova për të kuptuar se përse nuk ngjit dhe nuk fiton dot kjo lloj politike e shpërfytyruar, megjithëse qeveria e ka bërë kaq shumë baltë dhe duhet të ishte larguar me kohë, madje edhe sikur tē mos kishte fare opozitë zyrtare.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?