Ish krerët e UÇK-së

‘E mora armën, kishin maska të zeza, logoja e UÇK-së’, çfarë deklaroi dëshmitari i pestë në Gjykatën Speciale?

18 Maj 2023, 15:44| Përditesimi: 18 Maj 2023, 16:19

  • Share

Ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme gjykimi në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmitari i radhës ishte i pesti, dhe ai gjatë dëshmisë së tij deklaroi se ka qenë pjesë e UÇK-së që nga korriku i vitit 1998.

Ai gjatë përgjigjeve që ia dha fillimisht prokurorisë, deklaroi se disa anëtarë të UÇK-së me maska të zeza, ia kishin kidnapuar disa familjarë. Dëshmitari tha se i kishte ndjekur këta persona me armë.

“Po. Këta kanë pasur uniforma të zeza me emblemat e UÇK-së. Edhe maska të zeza në fytyrë. Pasi e kam marrë kerrin, e kam marrë edhe armën edhe i kam hyp kerrit që i kanë marrë të afërmit e mi me maska. Me dalje të fshatit i kanë zbrit dy të afërmit e mi nga makina, edhe babën e kishin lanë mrena në makinë”, deklaroi dëshmitari, raporton gazeta Nacionale.

Dëshmitari më u pas u ballafaqua me pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit. Njëri nga avokatët e pyeti dëshmitarin nëse ka pasur ndonjë dokument apo dëshmi, që e vërteton se ai ishte pjesë e UÇK-së.

“Unë jam dalë në ora 2 të natës atë natë. Të nesërmen i ka marrë shënimet komandanti kush ka qenë. Nuk më kanë dhënë ndonjë kartelë”, deklaroi dëshmitari.

Avokati më pas ia drejtoi dëshmitarit disa pyetje lidhur me uniformën e UÇK-së. Dëshmitari tha se ata i blenin vetë disa materiale, e më pas i qepnin. Avokati tha se a do të thotë kjo që kushdo, edhe pa qenë pjesë e UÇK-së, ka mundur të kamuflojë këso uniforma.

“E kam blerë vetë. Se nuk ka pasur. E kam blerë vetë. Si kamuflazh e kena paguar vetë. Si cerada, ato i këna ble e ato i këna qepë. Në rast se nuk ke pasur armë, ti s’ke pas nevojë as me ble as...Nuk mundem me thanë për askënd. Nuk besoj që dikush ka blerë uniformë pa qenë i kyçur”, tha dëshmitari.

Në aq pak minuta sa ishte seanca publike, avokati mbrojtës e pyeti dëshmitarin nëse i kishte parë personat që ia kishin kidnapuar familjarët. Dëshmitari tha se i ka parë disa, por që nuk ka guxuar të afrohet pasi ishin me armë.

“E kam parë 1 dhe 2. Treshin nuk e kam parë. Po edhe ai u kanë mrena po nuk e kam pa. Me sytë e mi i kam parë 1 dhe 2 kah janë shkuar poshtë. Nuk më lanë ata me maska me u afru. Kerri ecke, ata mrapa kerrit, dhe ma drejtoj armën tha nuk ki nevojë me u afru më afër”, deklaroi dëshmitari më tutje.

Dëshmisë së këtij dëshmitari i parapriu një debat ndërmjet avokatëve dhe prokurorisë. Kjo pasi mbrojtja kërkoi që seancat të jenë publike, sepse deklaroi që janë të interesuar që e vërteta të dalë në shesh.

Trupi gjykues ka dhënë urdhër që deri në fund të majit palët të vijnë me propozime se si është e mundur, që seancat të jenë sa më shumë publike./Nacionale

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?