'Jam shumë e lumtur me shërbimin tuaj!' Kjo është dëshmia e Marie Nikaj pas trajtimit në spitalin 'Shefqet Ndroqi' ku ishte e shtruar pasi ishte infektuar me COVID.
Në një nga videot Maria shfaqet kur është e sëmurë rëndë, ndërkohë që falenderon mjekët për humanizimin, dhe u kërkon që mos të lejojnë askënd që të përbaltë punën e tyre.
'Ma të përkryerit, le procedurën si mjekë, por edhe si humanizëm, si familjarë nuk gjej fjalët e duhura me thënë se çfarë meritojnë. Jeni super të mirë, mos leni kan me u përbalt krenarinë tuaj, se jeni të përkryer. Ju rujt Zoti ju bekoftë Zoti.'- thotë Maria.
E moshuara ka arritur që ta mposhtë COVID dhe shprehet mirënjohëse për shërbimin që kanë bërë mjekët e spitalit.
'Besim në Zot. Bash besim të plotë, shyqyr që erdha në duar tuaj, ju begoftë zoti ju nderoftë zoti! Qofshi të lumtur. Jam shumë e kënaqur me shërbimin që keni bërë dhe dëgjofsha vetëm mirë për ju. Staf i mrekullueshëm!'- tha e moshuara.
Një pacient i shtruar në spitalin COVID2, në një prononcim për mediat thotë se ushqimi që serviret brenda në spital është i shkëlqyer dhe se përpilohet në përputhje me sëmundjen që pacienti kalon.
Ai shprehet se duhet të shikohen ushqimet që futet nga jashtë, pasi sipas tij i bën më dëm sëmundjes dhe jo mirë.
'Si pacient sugjeroj që të shikohet problemi i ushqimit që futet jashtë nga familjarët. Ushqimi që është në spital është një ushqim i shkëlqyer, ushqim dietik, ushqim i përpiluar nga doktorët dhe në përputhje me sëmundjen që ne kalojmë. Rëndesa më ushqim familjarësh nga jashtë, në mendimin tim i bën dëm sëmundjes dhe jo mirë!'- thotë pacienti.