Tirane- E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara Nancy VanHorn zhvilloi paraditen e sotme një takim me ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha.
Takimi nuk ka zgjatur më shumë se 20 minuta. Nuk dihet ende arsyeja e kësaj vizite por një takim i tillë përkon një ditë pas arrestimit të ish presidentit të Republikës, aktualisht kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta me urdhër të SPAK, informon gazetari i Report Tv dhe shqiptarja.com Sokol Dema.
Report Tv ka siguruar pamjet teksa diplomatja amerikane VanHorn doli nga mjediset e Ministrisë së Brendshme.
Arrestimi i Ilir Metës mesditën e 21 tetorit 2024 nga forcat Operacionale me urdhër të SPAK u shoqërua me polemika. Opozita e quajti rrëmbim politik.
Gjithashtu ditën e enjte (17 tetor 2024) VanHorn u takua me Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK-ut, Altin Dumani për rreth një orë.
Përmes një njoftimi në aplikacionin X, Ambasada Amerikane tha se VanHorn vlerësoi arritjet e SPAK-ut në ndjekjen e suksesshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta.