TIRANË- Ardit Doçi 22 vjeçar u arrestua nga policia e Tiranës në tunelin e Murrizit me 2 kallashnikovë në makinë. I riu, me precedentë penalë për drogë dhe armë, udhëtonte nga Burreli për në Tiranë, ku do t’i shiste armët për llogari të grupeve kriminale. Burime për Report Tv thonë se i riu kishte marrë porosi nga një grup kriminal që vepron në zonën e Freskut për të blerë 2 armë, të cilat do të shiteshin në treg nga 800 euro, për shkak se ishin modele të vjetra.
Policia njofton se sekuestroi 2 armë zjarri, 4 krehra për to, automjetin dhe celularin e 22-vjeçarit me banim në Burrel.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi A. D., 22 vjeç, banues në Burrel”, bëri me dije policia.
Në pamjet e operacionit të policisë, shihet teksa agjentët ndajnë makinën në brendësi të tunelit të Murrizit, zbresin nga automjeti të riun dhe e arrestojnë pa bërë rezistencë.
“Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë”, sqaroi policia.
Policia njofton se vijon hetimi për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari. Burime nga policia thanë se i arrestuari dyshohet se ka lidhje me një tjetër person, i kapur pak ditë më parë me armë zjarri.
Dosja për hetime të mëtejshme i kaloi Prokurorisë, për veprën penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ardit Doci
Komente
