Lamberto Boranga dikur dhe sot

Sport

E pabesueshme/ Në moshën 82-vjeçare kthehet në fushë si portier: Jam thjesht një djalë i rritur... (VIDEO)

22 Gusht, 10:01| Përditesimi: 22 Gusht, 10:16

  • Share

ITALI - “Të luash në fushë mbi 80 vjeç? Po, është e mundur. Sigurisht, nëse je në formë dhe stërvitesh. Në fund të fundit, në atë moshë je vetëm një djalë i rritur”. Kështu shprehet Lamberto Boranga, mjek i specializuar në kardiologji dhe mjekësi sportive, i cili po përgatitet të kthehet në fushë si portier me Trevin, në kategorinë e parë, në moshën 82-vjeçare.

“Sot të rriturit kanë më shumë interes sesa të rinjtë, unë jam gjithmonë në lëvizje. Nuk shoh televizor, as lexoj gazeta, – ka thënë ai për agjencinë “Ansa”. – Çfarë do t’i thoja një pacienti nëse do më tregonte se dëshiron të bëhet sportist në moshën 82-vjeçare? Do ta pyesja: A je stërvitur? A je në formë? Do t’i bëja të gjitha kontrollet mjekësore të nevojshme, siç bëj edhe unë dhe pastaj, nëse çdo gjë del në rregull, do t’i thoja: po, mund të vazhdosh”.

Boranga sapo ka firmosur regjistrimin me Trevin: “Do të luaj një ndeshje në tetor dhe pastaj do të shohim. Nuk kam ndërmend të hyj në dhomën e zhveshjes dhe të komandoj. Në tetor do të marr pjesë edhe në kampionatin europian master të atletikës së lehtë në Madeira. Unë stërvitem gjithmonë: kërcim së gjati, kërcim tresh, kërcim me shkop, në çdo disiplinë”.

Prej një muaji, kardiologu-portier po stërvitet për t’u kthyer në fushë: “Stërvitem me Marco Bonaiuti, që tek Interi ka ndjekur Samir Handanovic. Kam ndjesi të mira, por nuk e di nëse do arrij ta luaj gjithë ndeshjen”.

Boranga ka zgjedhur të kthehet te Trevi, klub me të cilin është veçanërisht i lidhur. “I ri isha paksa i shpërqendruar dhe futbolli më ndihmoi jashtëzakonisht shumë”, ka shtuar ai.

“Nuk dua të dukem si një klloun, nëse luaj sigurisht që e vendos trajneri. E bëj për të theksuar se një gjë është mosha biologjike, një tjetër ajo në letër. Ka ditë që ndihem 50-vjeçar. Stërvitem katër herë në javë, një ditë prej të cilave në maksimum”.

Lamberto Boranga, në moshën 82-vjeçare, kthehet të veshë përsëri dorezat e portierit. Pasi kishte ndalur në vitin 2020, pothuajse në moshën 78-vjeçare, me ndeshjen e fundit te Marottese, tani po përgatitet të mbrojë portën e Trevit, skuadrës së Kategorisë së Parë.

Nuk ka asnjë strategji reklamuese pas kësaj. Boranga stërvitet seriozisht, nën kujdesin e përgatitësit të portierëve të Perugia, i vendosur të jetë gati dhe konkurrues. Ish-profesionisti, që vazhdon të punojë si mjek specialist në kardiologji dhe mjekësi sportive, nuk ka aspak qëllim të bëhet pjesë e ndonjë shakaje.

I lindur në vitin 1942, Boranga ka kaluar dekada në sport. Ai ka luajtur në nivelet më të larta me Perugia, Fiorentina, Reggiana, Cesena, Parma, duke grumbulluar mbi 100 ndeshje në Serie A, për të vijuar më pas edhe mes amatorëve. Ndërkohë, është dalluar edhe në atletikën master, duke fituar tituj botërorë e italianë në kërcim së larti, së gjati dhe tresh, me rezultate që edhe sot bëjnë jehonë.

Sekreti i formës së tij? “Pak ushqim, por i duhur; pa alkool, pa duhan, shumë pak mish. Vetëm qumësht soje dhe aktivitet fizik, përfshirë edhe seksin. Mëngjes i bollshëm dhe i ekuilibruar, një çokollatë/barenë energjie për drekë dhe darkë e lehtë. Pas ushqimit gjithmonë një shëtitje”.

Ai tregon se edhe tani në mëngjes bën gjashtë kapërdimje (rrotullime) në terren me pjerrësi, me pak sekonda pushim dhe se fokusohet shumë te shpejtësia, thelbësore për çdo atlet, edhe pothuajse në moshën 83-vjeçare.

Nuk është i shqetësuar për refleksin, sa për vështirësinë e hedhjes nga njëra shtyllë te tjetra, por po punon edhe për këtë. “Nuk është hera e parë që kthehem në fushë seriozisht, e kam bërë deri pesë vite më parë. Nuk jam ndryshkur. Le të themi që ndihem si një djalë i rritur, mosha është një koncept mjaft relativ”.

Si mjek, Boranga shpjegon se një zemër e stërvitur mund të përballojë edhe pas të 90-tave, nëse mbahet stil jete i shëndetshëm: “Sforcimi i trupit kthehet në kënaqësi, sepse lirohen ndërmjetës kimikë dhe hormone si GH, endorfina, testosteroni, serotonina. Në një trup të stërvitur dhe të mësuar me lodhjen, edhe truri mendon më mirë dhe plaket më ngadalë. Janë hormonet që na mbajnë të rinj”.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?