Edhe pse prej javësh është marrë e pandehur nga SPAK dhe sot çështja shkoi në Gjykatë, Etleda Çiftja vijon të jetë pjesë e trupave gjykuese për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zonja Çiftja mori pjesë edhe në gjykimin e gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri, për të tre kriteret; Ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Seanca dëgjimore e mbajtur në 13 qershor 2022 për Andri Ymerin është shtyrë pa afat pikërisht për shkak të kërkesës së avokatit të gjyqtarit, Arben Llangozi, për përjashtimin e Etleda Çiftja nga procesi i Andri Ymerit, si në kundërshtim me ligjin e Vetingut. Në kërkesën avokatit të datës 13 qershor 2022 thuhet se “Etleda. Çiftja nuk ka reaguar por vijon punën normalisht duke u bërë kështu rasti unik në botë që një i pandehur gjykon gjyqtarin”. Po në datë 13 qershor 2022, Llangozi ka kërkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit procedimin disiplinor dhe pezullimin nga detyra të anëtares së Vetingut, për ushtrim të detyrës në kundërshtim me ligjin.
Po çfarë parashikon ligji i Vetingut kur një nga anëtarët e organeve të Vetingut merret i pandehur për një vepër penale?
Ligji për rivlerësimin kalimtar, në nenin 17, parashikon që hetim disiplinorë dhe një masë ndaj anëtarit të KPK-së, ndërmerret nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në rast se ka të dhëna të mjaftueshme nga burime të besueshme se anëtari i institucioneve të rivlerësimit ka kryer një shkelje disiplinore. Por, KPA mund të vihet në lëvizje vetëm nëse një gjë të tillë e kërkon një nga anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose çdo vëzhgues ndërkombëtar. Në rastin konkret nuk ka asnjë kërkesë për zonjën Çiftja. Nga ana tjetër, anëtarët e Vetingut e kanë të ndalur me ligj që të shoqërohen persona që janë nën ndjekje penale ose janë subjekte të një procedimi penal!
Lajmi kryesor:
Skandali/ Anëtarja e KPK përfundon në GJKKO, ka bërë deklarim të rremë të pasurisë, ndërkohë që verifikon pasuritë e prokurorëve dhe gjyqtarëve
K.T./ReportTv.al