Imazhet e variantit më të ri të COVID-19, omicron janë publikuar nga Universiteti i Hong Kongut, përmes një mikroskopi elektronik.
Ekipi i shkencëtarëve mjekësorë, duke përfshirë patologë dhe virologë, bënë të mundur analizimin e një qelize veshkash majmuni, pasi ishte infektuare me variantin omicron.
Në imazhet e publikuara, paraqitet dëmtimi që i është bërë qelizave me fshikëza të fryra që përmbajnë grimca të vogla virale të zeza.
Për më tepër, zmadhimi i lartë zbuloi agregate të grimcave virale me thumba në formë korona në sipërfaqe.
Sipas raportimeve, studiuesit nga Departamenti i Mikrobiologjisë në Universitetin e Hong Kongut arritën të izolojnë "omicron" nga mostrat klinike, gjë që do të lejojë zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave kundër këtij varianti.
Omicron u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut në fund të nëntorit. Lloji përmban më shumë mutacione të proteinës spike, që do të thotë se mund të pengojë përgjigjen imune të trupit dhe të përhapet më lehtë.