Foto ilustruese

Kronikë

E paprecedentë/ Agjencia e Barnave dhe kompania misterioze SICPA bllokuan hetimin e Autoritetit të Konkurrencës për tregun e ilaçeve e pajisjeve mjekësore   

9 Shtator 2021, 07:59| Përditesimi: 9 Shtator 2021, 08:16

  • Share

Autoritetit të Konkurrencës hapi një hetim në shtator 2020 për tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore për shkak të dyshimeve për krijimin e monopoleve, deformimin e konkurrencës dhe rritjen e çmimit për produkte të caktuara. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore vonoi dhe refuzoi dhënien e informacionit bashkë me kompaninë Security Solutions Albania me rrënjë në Zvicër që ka koncesionin e për pajisjen me pullë fiskale. Pas një viti, hetimi shtyhet edhe me 6 muaj.

Tregu farmaceutik në Shqipëri vijon të mbetet dinamik, duke rritur në të njëjtën kohë rrezikun për mundësinë e krijimit të monopoleve për barna të caktuara nga kompani të ndryshme, deformimin e konkurrencës, rritjen e çmimeve etj. Në këto rrethana, Autoriteti i Konkurrencës, në 23 shtator 2020, vendosi të hapte një hetim paraprak për tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore në vend. “Autoriteti vlerëson nevojën e një analizë të plotë dhe gjithëpërfshirëse në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësorë, për të parë nëse ka kufizime, shtrembërime apo pengime të konkurrencës nga ndërmarrjet që operojnë në treg, nëpërmjet të drejtave ekskluzive, fuqisë se konkurrentëve në treg, lidhjes së kontratave kufizuese”, thuhet në vendim. 

Por çfarë ka ndodhur nga shtatori 2020 deri në shtator 2021?

Kompanitë farmaceutike që ishin objekt i këtij hetimi, si dhe institucionet publike shëndetësore, konkretisht Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, kanë bllokuar hetimin e Autoritetit të Konkurrencës për tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore, duke zvarritur dhënien e informacionit, duke dhënë informacion të mangët dhe refuzuar praktikisht informacionin. Nëse për kompanitë farmaceutike objekt hetimi për deformimin e mundshëm të konkurrencës, është e kuptueshme tendenca për të mos bashkëpunuar me Autoritetin e Konkurrencës, nga ana tjetër, është i paprecedentë mosbashkëpunimi nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Bllokimi i hetimit reflektohet në një tjetër vendim të Autoritetit të Konkurrencës, të datës 2 shtator 2021.

Përpos të tjerave, në vendim thuhet se “Gjatë periudhës së realizimit të procedurës hetimore, në përputhje me afatet kohore të parashikuara në vendimin nr. 707, datë 23.09.2020, Sekretariati u has me vështirësi në mbledhjen e informacionit dhe të dhënave të nevojshme, si nga ndërmarrjet që janë subjekt i këtij hetimi ashtu edhe nga institucionet shtetërore, informacion dhe të dhëna të cilat nuk janë sjellë në kohën e duhur dhe në mënyrë të plotë dhe të saktë...Në vijim të procedurës hetimore, bazuar në të dhënat e administruara, sekretariati hartoi draft raportin e hetimit paraprak në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore, nga ku u konstatua se mungesa e informacionit të kërkuar nga Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, e bën të pamundur përcaktimin e strukturave të tregut dhe analizën e sjelljes së ndërmarrjeve në tregun e importit dhe shitjes më shumicë të barnave”.

Ndërsa subjekti privat, që operon në fushë e tregut farmaceutik, që sipas vendimit të dytë të Autoritetin e Konkurrencës nuk ka bashkëpunuar, është Security Solutions Albania SHPK, mbajtëse e kontratës së koncesionit për pajisjen me pullë fiskale. Kjo kompani ka si administrator Samir Shqarrin në Shqipëri, ndërsa njerëzit që fshihen pas saj janë të mbuluar me mister. SICPA në Shqipëri është në pronësi të kompanisë SICPA SA, e regjistruar në Zvicër. SICPA SA është një kompani anonime për shkak të ligjeve zvicerane. 

Në këto rrethana, për shkak të mungesës të bashkëpunimit me degën e SICPA SA në Shqipëri si dhe me Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të shtyjë me 6 muaj afatin për hartimin e raportit të hetimit të tregut të barnave dhe pajisjeve mjekësore.

 Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës për të nisur hetimin shtator 2020 për tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore

 

 Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës mbi rrethanat e pengimit të hetimit, shtator 2021
 
 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?