Helidon Gjikoka dhe kompleksi 'Ambel Beach'

E paprecedentë/ Inxhinierët pranojnë falsifikimin e dokumenteve, gjyqtari Enkel Peza rrëzon dosjen e tjetërsimit të kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi, shpëton Helidon Gjikokën

5 Mars 2022, 16:18| Përditesimi: 5 Mars 2022, 16:44

  • Share

Gjyqtari i Vlorës Enkel Peza rrëzoi disa ditë më parë dosjen e prokurorisë për tjetërsimin kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi, përmes falsifikimeve, pasuri e cila kaloi nga emri i Ilir Kokës në emrin e Helidon Gjikokës, në fshehtësi të Kokës. Me anë të një dosje voluminoze prej 500 faqesh, Prokuroria kishte ngritur akuzat e mashtrimit me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim, falsifikimin të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrë për një grup prej 9 personash. Ata janë Helidon Gjikoka, përfituesi i pasurisë i shpallur në kërkim, Ariton Kasaj avokat, Adiseldo Rrapaj inxhinier, Ardian Musta drejtor i legalizimeve në Vlorë, dy punonjëse pranë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Enida Bukuroshi dhe Jonida Hallvaxhiu, si dhe punonjësit pranë legalizimeve Vlorë Denis Metaj, Erdet Mandi dhe Arbër Jaupaj. Akuza është pushuar nga gjyqtari Enkel Peza në mënyrë të paprecedentë, pasi disa nga personat në emër të të cilëve ishin hartuar akte ekspertimi dhe dokumente, kanë deklaruar në prokurori se nuk i kanë firmosur kurrë ato akte dhe se nuk e njihnin Helidon Gjikokën.

Historia

Në vitin 2020, Ilir Koka është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës ku ka denoncuar përvetësimin e pronës së tij, kompleksit me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2 në Dhërmi, nga Helidon Gjikoka. Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në jashtë vendit, ka autorizuar Helidon Gjikokën që të ndiqte punimet për ndërtimin e kompleksit dhe të kryente veprime të tjera, por në asnjë rast nuk i ka dhënë të drejtën t’i tjetërsonte pasurinë. Shtëpitë private po i ndërtonte në pronën që ia kishte lënë trashëgim babai.

Pas hetimeve të thelluara dhe intensive, Prokurori Ervin Karanxha ka konstatuar se Helidon Gjikoka, në vitin 2017, kishte kërkuar legalizimin e pasurisë së Ilir Kokës në emrin e tij. Ndërsa Ilir Koka ishte në Greqi, prona e tij, që nga data 28 janar 2019 ka kaluar në emrin e Helidon Gjikokës.

Në 20 shtator të vitit 2018, shefi i legalizimeve Adiseldo Rrapaj, ka miratuar legalizimin në emër të Gjikokës, edhe pse ishte në dijeni se prona i përkiste Ilir Kokës. Punonjësi Ardian Musta ka shqyrtuar praktikën e legalizimit të pasurisë, edhe pjesë është njohur me lejen e ndërtimit të vitit 2010, që ishte në emrin e Ilir Kokës. Pjesë e skemës janë bërë edhe punonjësit Erdet Mandi, Arber Jaupaj dhe Denis Metaj, të cilët kanë pasqyruar të dhëna të rreme në aktet e përpiluara nga ana e tyre, në funksion të vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.

Në dosje del në pah edhe roli i Jonida Hallvaxhiut dhe Enida Bukuroshit, juriste pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë, të cilat kanë rrëzuar ankimin e pronarit të grabitur Ilir Koka, i cili kundërshtonte kalimin e pronës së tij në emër të Gjikokës. Ankimimi është rrëzua për shkak të tejkalimit të afatit, por sipas prokurorisë, dy juristet duhet të kallëzonin krimin e vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.

Inxhinierja Alda Qira (Kurti): Unë nuk i kam firmosur këto akte

Nga lista e dokumenteve që Helidon Gjikoka dhe avokati Ariton Kasaj kanë paraqitur në organet shtetërore për të kaluar kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi në emrin e Gjikokës, është paraqitur edhe ky akt ekspertimi mbi qëndrueshmërinë konstruktive të objektit. Akti i ekspertimit i vitit 2018 është paraqitur sikur është hartuar nga Alda Qira (Kurti). Në 15 dhjetor të vitit 2020, Alda Qira (Kurti) është pyetur në prokurori për aktet e hartuara nga ajo, pjesë e dosjes së tjetërsimit të pronës. 

Mes të tjerave, inxhinierja ka deklaruar se “U njoha me aktet e vëna në dispozicion dhe bindjet them se këto nuk janë punuar nga ana ime, për me tepër nuk kam qene asnjëherë për inspektim të këtyre objekteve të cilët pasqyrohen në akte... Gjithashtu dua të shpjegoje se edhe në strukture janë akte të cilat nuk janë punuar nga ana ime, megjithëse janë munduar t`i kopjojnë”. Inxhinierja ka deklaruar se edhe numrin e licencës së saj e kanë shënuar gabim.

Megjithatë, edhe pse dy dokumentet konfirmojnë përtej çdo dyshimi falsifikimin e akteve, gjyqtari Enkel Peza ka rrëzuar dosjen dhe ka çliruar nga akuza Helidon Gjikokën dhe grupin e tij.

Konkluzioni i prokurorisë

Pas një hetimi të thelluar, kryqëzimit të dëshmive, dokumenteve dhe fakteve, prokuroria ka arritur në konkluzionin se Ilir Kokës i është vjedhur prona nga Helidon Gjikoka. “Shtetasi Helidon Gjikoka në bashkëpunim me shtetasin Ariton Kasaj rezulton se ka përdorur formularin e falsifikuar si dhe dokument të tjera të falsifikuara si akte ekspertimi etj., me qellim për të vjedhur nëpërmjet mashtrimit pronën e ligjshme të shtetasit Ilir Koka. Dhe vepra penale e mashtrimit është kryer pasi prona e ligjshme e vëllezërve Koka kaluar në pronësi të të dyshuarit Helidon Gjikoka me ndihmën e Ariton Kasës. Në rastin konkret del mjaft qartë se prona është e shtetasit Ilir Koka dhe se është tjetërsuar nëpërmjet mashtrimit nga ana e shtetasit Helidon Gjikoka, duke u mbështetur nga zyrtarë të ish Drejtorisë së Legalizimeve Vlorë siç është pasqyruar në dinamikë, në pjesën përshkruese të këtij relacioni”.

(Kliko këtu për aktin e ekspertimit për kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi paraqitur sikur është hartuar nga Alda Qira (Kurti)

(Kliko këtu për deklarimin e inxhinieres Alda Qira (Kurti) në prokurori)

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ermal: 06/03/2022 08:24

    Pas kesaj ceshtje fshihet Aleksander Frangaj, sepse ky vend qe eshte ndertuar eshte e vetmja vend qe nuk eshte grabitur nga oligarket edhe mafia e tokave ne Dhermi.

    Përgjigju
  • Iris: 06/03/2022 00:41

    Fajin e ka gjykatesi,prokurori e ka bere korrekt punen e tij,por nuk mund t'a djegesh nje ceshtje gjyqesore,thjesht pse disa persona qe u ka dale emri pretendojne se nuk i kane firmosur kurre dokumentet dhe nuk e njohin grabitesin dhe mashtruesin.Keto jane vetem hallka te zinxhirit te kesaj ceshtjeje.Ne fakt e tere ceshtja eshte korrupsion,mashtrim e vjedhje nga fillimi deri ne fund.Gjykatesi e ka kaluar Vetingun?

    Përgjigju
  • Lame: 05/03/2022 22:08

    Diten e pare si Kryeminister Rama jo me kot nisi operacionin e rivieres:infrastukture, rrafshim dhe trembje te "ilegalitetit", aeroport, ligje te reja per "investitore strategjike" etj. E gjitha, me qellim dhenien e prones publike ne zonat turistike vetes se vet permes oborrit jo familiar (te puthsha Berishen ne Balle) por nder-familiar partiak, pra Rilindesve neokomunist. Ngado ta zesh, sido te besh, edhe me ibtrashi e kupton. Qe kjo eshte nje forme ekstreme e organizuar kriminale ose "kapje shteti". Dhe nuk mund te beje askush asgje, as amerika apo evropa, sepse e kane lejuar vete dhe po vete perfitojne. Dhe as drejtesia jo e e "re" e cila eshte vete e zhytur ne kete fenomen, me lidhje familiare, interesa pasurore dhe gjithshka. Ky Karanxha ose eshte idiot ose cte thote vllai.

    Përgjigju
  • xXx: 05/03/2022 19:09

    Këta katundarët e Pezës janë pleksur keq në Dhërmi...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?