Arrihet marrëveshja e parë mes Shqipërisë dhe një vendi anëtar të BE për njohjen e ndërsjelltë të certifikatave të vaksinimit kundër COVID.
Shqipëria dhe Hungaria, pritet të finalizojnë brenda kësaj jave njohjen e të gjitha llojeve të vaksinave dhe të hapin kufijtë për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, duke përfshirë edhe arsyet e turizmit. Kjo marrëveshje është arritur gjatë takimit Rama-Orban në Budapest ditën e sotme.
Teksa ka publikuar disa foto të takimit me kryeministrin Orban dhe delegacionet përkatëse, Rama shkruan se ishte një ditë e veçantë pune mbi bashkëpunimin bilateral në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe për ecurinë e integrimit evropian të Shqipërisë. Siç shkruan kryeministri Rama, Hungaria ka qenë historikisht një mbështetëse e palëkundur për integrimin e Shqipërisë në BE.
Vetë Orbán në një deklaratë për mediat bashkë me Kryeministrin Rama, tha se Hungaria është plotësisht e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë për anëtarësimin në BE sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte të tjera dhe se do të punojë për të bërë maksimumi që kjo të ndodh.
“ Do të doja të theksoja edhe një herë, që është mesazh politik sot, që Hungaria është plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për të arritur anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte të tjera dhe Hungaria do të bëjë maksimumin”, tha Orban.
Nga ana tjetër kryeministri Rama vlerësoi bashkëpunimin në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe ekonomisë mes dy vende duke theksuar se Shqipëria do të përfitojë nga zhvillimi dhe modernizimi i Hungarisë.
Në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-hungareze, Rama nuk kurseu batutat me Orban, ku tha:
“Siç e tha Kryeministri Orban, miqësia jonë është e vjetër tashmë, por miqësia shqiptaro-hungareze është shumë më e vjetër sesa mendojnë njerëzit. Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golashënuesin më të mirë të Ferencvárosi-t, kështu që ka shumë më tepër për t’u bërë”, tha Rama.
Një delegacion i vendit tonë kanë qenë në Hungari, mes tyre edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ministrja e Arsimit, Evis Kushi dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, duke dakordësuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në disa sektorë. Manastirliu tha se po punohet mbi një bashkëpunim me Universitetin Mjekësor të Budapestit në mënyrë që të kemi diploma, doktoratura dhe praktika studentore të përbashkëta.
Kujtojmë se që nga fillimi i fushatës së vaksinimit, në vendin tonë janë përdorur Pfizer, AstraZeneca, Sinovac dhe Sputnik V. 800 mijë vaksinime kundër COVID-19 janë kryer deri tani në vendin tonë që nga fillimi i fushatës 'Shqipëria Buzëqesh' ndërsa procesi vijon pa u ndalur.
Heroi ynë Kombëtar dhe një nga aleatët më të ngushtë të Hungarisë në luftimin e Perandorisë Osmane, Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të ketë një bust në mes të parkut qendror të Budapestit të Hungarisë. Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili shoqëron kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës në Hungari, tha se piedestali tashmë është ngritur në mes të parkut të gjelbëruar dhe se busti do të vendoset në një ceremoni inaugurimi më 5 korrik në Budapest. Busti është krijuar nga Agim Rada me kontributin e Bashkisë Tiranë dhe është një dhuratë për bashkinë e Budapestit.
“Do të vendosim bustin, janë dy iniciativa ku dhe mbretëresha Geraldinë do të ketë një monument tek Zogu i Parë te ministria e Drejtësisë. Për bustin e Skënderbeut është vendosur piedestali dhe inaugurimi do të bëhet më 5 korrik në Budapest”, tha Veliaj.
Vetë Rama tha se vendi i zgjedhur është shumë pikant dhe strategjik, ndërsa dha dhe idetë e tij artistike duke u kërkuar personave autorizues që të marrin leje në bashkinë e Budapestit që rrugica që të çon tek busti i Skënderbeut të krijohet një tapet mermeri kuq e zi për të krijuar atmosferën e duhur.
‘Vendi është shumë pikant, po mendoja të merrnit leje që të bënit një tapet kuq e zi që të çon te busti i Skënderbeut. Është një vend shumë strategjik, shumë bukur”, tha Rama.
Marrëdhëniet shqiptari-hungareze janë vendosur që në kohën e Skënderbeut, i cili bë aleati më besnik i Janosh Huniadi, udhëheqësit të ushtrisë hungareze për të luftuar Perandorinë Osmane. Këto marrëdhënie kanë ardhur duke u forcuar deri në kohët e sotme moderne, ku bashkëpunimi tashmë është në fushën ekonomike, kulturore e shëndetësore.
Kryeministri Edi Rama dhe ai hungarez Viktor Orbán pas takimit dypalësh në Budapest diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe për ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, kryeministri hungarez, Viktor Orbán uroi kryeministrin Rama për fitoren, ndërsa shtoi se dy vendet shënojnë 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit.
“Dua t’ju prezantoj Kryeministrin e Shqipërisë, i cili është një mik i madh i Hungarisë prej shumë kohësh tashmë, kemi nisur bashkëpunimin që prej shumë viteve më parë. Vizita e tij është një vlerësim i madh për Hungarinë, duke qenë se është kryeministër që ka fituar tre herë, njëra pas tjetrës, zgjedhjet. Tre zgjidhjeje të njëpasnjëshme është diçka e jashtëzakonshme në politikën europiane, sidomos nëse lufta politike është e fortë dhe në demokraci të gjalla si ajo e Shqipërisë dhe e Hungarisë, lufta politike është shumë e fortë, me debate dhe e gjallë. Kështu që dua të të përgëzoj Zoti Kryeministër, për suksesin dhe fitoren tuaj. Çështjet që kemi diskutuar sot, së pari, është bashkëpunimi politik midis dy vendeve. Po i afrohemi 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe duam ta festojmë bukur dhe ta kemi një jubile politik, të rrethuar me kulturë. Ramë dakord që nuk ka dallime madhore në politikën e jashtme midis dy vendeve”, tha Orban.
“Hungaria është plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për të arritur anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte të tjera”, ishte mesazhi politik që Orban dha gjatë takimit me kryeministrin Rama duke shtuar se Hungaria do të punojë për të bërë maksimumi që kjo të ndodh. Në kuadër të takimit, u diskutua edhe për bashkëpunimin ekonomik, kulturor, atë në arsim dhe shëndetësi.
“Ajo çfarë është më e rëndësishmja është çështja kryesore që është zgjerimi i Bashkimit Europian dhe anëtarësimi i Shqipërisë. Ne hungarezët ,jo vetëm jemi mbështetës, por jemi mjaft të angazhuar e të përkushtuar që ta ndihmojmë Shqipërinë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, jo vetëm sepse kjo motivohet nga simpatia jonë, por sepse motivohet dhe nga interesi ynë. Jemi të bindur që pa ofruar mundësi anëtarësimi për këtë pjesë të kontinentit europian, nuk mund të stabilizohemi, qoftë sa i takon ekonomisë, por dhe aspektit politik në atë pjesë. Pra, Shqipëria do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në të ardhmen tonë europiane. Më pas u konsultuam dhe negociuam për çështjet ekonomike. Jemi mjaft të lumtur që ishim në gjendje të gjejmë atë projektin kryesor që është banka OTP, që në fakt u mirëprit nga qeveria shqiptare për të nisur veprimtarinë në Shqipëri. Pra, kemi investimin e parë të madh në Shqipëri dhe mësimi që kemi nxjerrë gjatë gjithë këtyre viteve është që projekti kryesor i parë është i rëndësishëm e kur vjen anija e parë, të tjera anije shfaqen në ujë e do të kemi dhe investues të tjerë, të cilët do të jenë të pranishëm në vend. Ky ishte kuadri i takimit. Do të doja të theksoja edhe një herë, që është mesazh politik sot, që Hungaria është plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për të arritur anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte të tjera dhe Hungaria do të bëjë maksimumin”, tha Orban.
Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër vlerësoi bashkëpunimin ndërsa tha se Hungaria ka pasur procese transformues dhe se Shqipëria do të përfitojë nga ky zhvillim dhe modernizim në kuadër të bashkëpunimit në shumë fusha. Ra nuk kurseu as batutat kur tha se marrëdhëniet shqiptaro-hungareze ishin shumë të vjetra, ku Hungaria na dhuroi një mbretëreshë Gerldinën dhe Shqipëria i dhuroi Golashënuesin Uzunin më të mirë të Ferencvárosi-t.
“Ishte jo vetëm kënaqësi, por ishte një nder që të isha mik i Kryeministrit sot dhe të kisha mundësi që të shkëmbeja me të pikëpamje për temat që përmendi Kryeministri. Por, së pari e mbi të gjitha, për t’i kërkuar mbështetje dhe ndihmë në rrugëtimin e zhvillimit, modernizimit, si dhe të integrimit.Në këndvështrimin tonë, Hungaria është një vend ku ka shumë dije, ku ka përvoja të pabesueshme, mbresëlënëse, transformuese, ku ka shumë për të mësuar. I jam shumë mirënjohës Kryeministrit për disponibilitetin e tij bujar për të na dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme, për të pasur këtë transferim të dijes, sepse duam të bashkëpunojmë jo vetëm në aspektin dypalësh ekonomik, por gjithashtu dhe në atë kulturor dhe në arsim. Atë çka Hungaria ka bërë gjatë viteve të fundit për të përmirësuar arsimin, për të mbështetur të rinjtë e talentet, për të inkurajuar familjet që ta shohin të ardhmen e vet me sa më shumë shpresë, është frymëzuese. Jam edhe njëherë mirënjohës dhe pres me padurim që të përforcojmë këtë bashkëpunim. Siç e tha Kryeministri, miqësia jonë është e vjetër tashmë, por miqësia shqiptaro-hungareze është shumë më e vjetër sesa mendojnë njerëzit. Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golashënuesin më të mirë të Ferencvárosi-t, kështu që ka shumë më tepër për t’u bërë”, tha Rama.
'Hungaria është plotësisht e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë për anëtarësimin në BE sa më shpejt të jetë e mundur', tha Kryeministri Viktor Orbán të martën në Budapest pas bisedimeve me Kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Në një deklaratë për shtyp pas takimit, Viktor Orbán theksoi se Hungaria mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE jo vetëm me simpati, por edhe sepse është në interesin e saj.
'Pa një perspektivë të anëtarësimit, siguria e kontinentit nuk mund të garantohet, as politikisht dhe as ekonomikisht', tha ai.
Edi Rama falënderoi Hungarinë për mbështetjen e saj në rrugën drejt integrimit evropian të Shqipërisë.
'Miqësia e vjetër bashkon hungarezët dhe shqiptarët dhe bashkëpunimi midis dy vendeve duhet të forcohet më tej.' theksoi ai.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Rama ka publikuar disa foto nga takimi me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
"Një ditë e veçantë pune me kryeministrin Viktor Orban dhe delegacionet përkatëse, mbi bashkëpunimin bilateral në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe për ecurinë e integrimit evropian të Shqipërisë, ku Hungaria është historikisht një mbështetëse e palëkundur", ka shkruar Rama.