E pazakontë/ 8 projektligje dhe 5 vjet polemika për reformën zgjedhore, asnjë nismë e miratuar në Kuvend

14 Janar 2020, 11:18| Përditesimi: 14 Janar 2020, 11:22

  • Share

TIRANË - Kodi Zgjedhor i Shqipërisë ka ndryshuar për herë të fundit në prill të vitit 2015. Që nga ajo kohë janë zhvilluar tre palë zgjedhje, ndërsa OSBE-ODIHR kanë propozuar me dhjetëra rekomandime në tre raporte për t’i reflektuar në ligjin zgjedhor, për të adresuar problematikat e konstatuara në zgjedhjet e zhvilluara. Reforma zgjedhor është ndërkohë edhe një nga kushtet e Brukselit për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Për të plotësuar këtë kusht, Kuvendi ka ngritur një komision të posaçëm. Që nga viti 2015 deri në fund të vitit 2019 janë propozuar 8 projektligje për ndryshimin e ligjit zgjedhor, ku asnjëri prej tyre nuk është miratuar në Kuvend, çka tregon se mazhoranca, opozita parlamentare, opozita jo parlamentare dhe aleatët e PD-PS, janë ende larg dakordësisë për ndryshimet në ligjin zgjedhor që duhet të miratohen në Kuvend.

Katër nisma ligjore janë propozuar nga deputetët e PS, tre nga të cilat janë tërhequr më pas. Një nismë ligjor për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është propozuar nga ish-deputetët e PD, të cilët janë tërhequr gjithashtu më pas. Ndërkaq, tre drafte janë prodhuar nga komisioni për reformën zgjedhore i ngritur në vitin 2017. Polemikat janë fokusuar tek ndryshimi ose jo i sistemit, vota e emigrantëve, depoliztimi i komisioneve zgjedhore, mënyra e financimit të subjekteve zgjedhore, ashpërsia e ndëshkimit të shkelësve etj. Partia Demokratike dhe LSI kundërshtojnë draftet që ka prodhuar komisioni për reformën zgjedhore. Edhe pse PS ka pranuar pothuajse të gjitha propozimet e Partisë Demokratike, kjo fundit ka paralajmëruar se po harton një draft paralel për reformën zgjedhore, të cilin do ta publikojë në ditët në vijim. 

Nga ana tjetër, opozita parlamentare e ka kushtëzuar votën e saj në Kuvend me ndryshimin e sistemit zgjedhor, çështje që nuk ka vëmendjen e partive kryesore. Po ashtu, deputetë të opozitës parlamentare kanë shprehur dyshimet për një pakt mes PD dhe PS për reformën zgjedhore, për të mos ndryshuar sistemit dhe  për të mos aplikuar korrektimin kombëtar. Ndërkaq, shumica ka paralajmëruar se do t’i votojë draftet në Kuvend me 84 vota. Kjo situatë e karakterizuar nga polemika, dyshime, akuza dhe kundërshtime vazhdon që nga viti 2015, madje që nga viti 2012, pasi ndërhyrjet në ligjin zgjedhor në 2015, ishin sipërfaqësore dhe nuk reflektonin rekomandimet e OSBE-ODOHR. Për këtë arsye, në objektin e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore janë përfshirë edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2013, rekomandime të cilat nuk u reflektuan në ndryshimet e bërë në 2015.

8 projektligjet e propozuara për ndryshimin e Kodit Zgjedhor

1.            Projektligj ‘për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor’, depozitimi në Kuvend, 24/04/2015, nisma e tërhequr, propozuar nga ish-deputetët e PD, Arben Ristani, Eduart Halimi, Oerd Bylykbashi, Ridvan Bode etj.

2.            Projektligj ‘për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor’, depozitimi në Kuvend, 30/04/2015, nisma e tërhequr, propozuar nga deputeti i PS Taulant Balla.

3.            Projektligj ‘për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor’, depozitimi në Kuvend 10/05/2016, nisma e tërhequr, propozuar nga 28 deputetë të PS, propozuar nga 12 deputetë të PS.

4.            Projektligj ‘për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor’, depozitimi në Kuvend, 01/03/2017, nisma e tërhequr, propozuar nga 28 deputetë të PS.

5.            Projektligj ‘për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor’, depozitimi në Kuvend, 18/12/2018, nisma është në procedurë, propozuar nga 9 deputetë të PS.

6.            Draft me amendamente për ndryshimin e ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor’, propozuar në tetor 2019 nga komisioni për reformën zgjedhore.

7.            Draft me amendamente për ndryshimin e ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor’, propozuar në nëntor 2019 nga komisioni për reformën zgjedhore.

8.            Draft me amendamente për ndryshimin e ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor’, propozuar në dhjetor 2019 nga komisioni për reformën zgjedhore.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?