E pazakontë/ Anëtarja e Vetingut prej 2 javësh e pandehur nga SPAK vijon gjykimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, kërkohet pezullim dhe procedim disiplinor

15 Qershor 2022, 17:15| Përditesimi: 15 Qershor 2022, 21:59

  • Share

TIRANË- Një situatë e pazakontë është krijuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, shkallën e parë të Vetingut. SPAK ka marrë të pandehur që në fund të muajt maj anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Etleda Çiftja për falsifikim dokumentesh dhe deklarim të rremë të të dhënave.

Etleda Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të Vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK. Më herët janë proceduar nga SPAK anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, ku ky i fundit është dënuar, ndërsa Hajdari është në proces gjykimi.

Pasi janë marrë të pandehur nga SPAK, Luan Daci dhe Ardian Hajdari janë pezulluar nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, por e njëjta gjë nuk ka ndodhur për Etleda Çiftijan. Edhe pse kanë kaluar mbi dy javë që kur është marrë e pandehur nga SPAK, Etleda Çiftja vijon të jetë pjesë e trupave gjykuese për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Zonja Çiftja mori pjesë edhe në gjykimin e gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri, për të tre kriteret; Ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Seanca dëgjimore e mbajtur në 13 qershor 2022 për Andri Ymerin është shtyrë pa afat pikërisht për shkak të kërkesës së avokatit të gjyqtarit, Arben Llangozi, për përjashtimin e Etleda Çiftja nga procesi i Andri Ymerit, si në kundërshtim me ligjin e Vetingut.

Në kërkesën avokatit të datës 13 qershor 2022 thuhet se “Etleda. Çiftja nuk ka reaguar por vijon punën normalisht duke u bërë kështu rasti unik në botë që një i pandehur gjykon gjyqtarin”. Po në datë 13 qershor 2022, Llangozi ka kërkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit procedimin disiplinor dhe pezullimin nga detyra të anëtares së Vetingut, për ushtrim të detyrës në kundërshtim me ligjin.

Po çfarë parashikon ligji i Vetingut kur një nga anëtarët e organeve të Vetingut merret i pandehur për një vepër penale?

Ligji për rivlerësimin kalimtar, në nenin 17, parashikon që hetim disiplinorë dhe një masë ndaj anëtarit të KPK-së, ndërmerret nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në rast se ka të dhëna të mjaftueshme nga burime të besueshme se anëtari i institucioneve të rivlerësimit ka kryer një shkelje disiplinore.

Por, KPA mund të vihet në lëvizje vetëm nëse një gjë të tillë e kërkon një nga anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose çdo vëzhgues ndërkombëtar. Në rastin konkret nuk ka asnjë kërkesë për zonjën Çiftja.

Nga ana tjetër, anëtarët e Vetingut e kanë të ndalur me ligj që të shoqërohen persona që janë nën ndjekje penale ose janë subjekte të një procedimi penal!

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?