ITALI - Një mister ka pushtuar mediat e opinionin Italian dhe ka të bëjë me zhdukjen e një burri të quajtur Gianfranco Bonzi.
Ai është zhdukur që nga 23 marsi i këtij viti në rrethana të pa qarta dhe familjarët nuk kanë pasur asnjë shenjë apo kontakt me të që prej asaj dite.
Ky rast u bë i famshëm në mediat italiane për shkak të disa episodeve që besohet që lidhen me zhdukjen e italianit.
Mund të duket për të qeshur por së fundmi ai fliste me një vajzë në internet, e cila shtirej si këngëtarja Dua Lipa.
Italiani kishte arritur të besonte se po fliste realisht me këngëtaren dhe për më tepër ai “ra në dashuri me të”.
Madje në një moment “Dua Lipa” i kishte kërkuar italianit 5 mijë euro dhe ai ia kishte nisur përmes trasfertave bankare.
Ka qenë gazetari i emisionit italian për njerëzit e zhdukur “Kush e ka parë”, ai që ka rënë në kontakt me personin që fshihet pas profilit në Facebook me emrin Dua Lipa.
Gazetari e ka pyetur nëse kishte dijeni për Bonzin, dhe ajo i është përgjigjur (me një italishte jo perfekte) duke thënë se nuk dinte asgjë.
Policia ka arritur të zbulojë dy detaje të rëndësishme për vajzën misterioze me emrin Dua Lipa, ajo jeton në Siçili dhe ka lindur në vitin 1966.
Kur ajo u zhduk nga rrjetet sociale, mesa duket pasi mori paratë dhe pa që nuk kishte çfarë t’i merrte më, Franko duhet të ketë ndjerë një zhgënjim të fortë, mbase është ndjerë i poshtëruar deri në atë pikë sa ka shkruar në një grup në Facebook “Mirëmbrëma, ky është postimi im i fundit dhe gjithashtu një nga veprimet e fundit dhe shkaku është një zhgënjim në dashuri që nuk e përballoja dot”, dhe kësaj fjalie i ka bashkangjitur imazhin e një zemre të thyer ku shkruhet “Game Over”.