MAQEDONI E VERIUT- Një kërkesë disi e pazakontë ka ardhur nga opozita në Maqedoninë e Veriut, ku kërkohet dorëheqja e ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani.
Arsyeja sipas dy partive kryesore të kahut opozitar në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DRMNE është sepse është shkelur Kushtetuta pasi Osmani ka folur në gjuhën shqipe me homologun e tij spanjoll dhe jo në gjuhën zyrtare.
Opozita kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje nga Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
“Kërkojmë përgjegjësi penale për Osmanin, organet kompetente menjëherë të ngrejnë procedurë dhe përfundimisht në Maqedoni të ngrihet procedurë adekuate për vepra që cenojnë imazhin e vendit. Osmani të dorëhiqet nga pozita Ministër i Jashtëm dhe është më e pakta që mund ta bëjë pas këtij veprimi joshtetërore dhe nënçmues për qytetarët e Maqedonisë,”- tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
VMRO-DPMNE thotë se qeveria LSDM-BDI dhe Bujar Osmani si Ministër i Jashtëm, shkelin vlerat kombëtare, duke i bërë thirrje Osmanit të nisë ta respektojë vendin dhe në komunikimet ndërkombëtare të prononcohet në gjuhën zyrtare maqedonase.
Shqiptarët janë grupi i dyte me i madh etnik në Maqedoninë e Veriut. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është 509,083 banorë, që përfaqëson rreth 25% të popullsisë. Shqiptaret jetojnë kryesisht në pjesët veriperëndimore dhe perëndimore të vendit. Numri më i madh i shqiptarëve jeton në komunat: Tetovë (70%), Gostivar (82%), Dibër (58%), Strugë (57%), Kërçovë (55%), Kumanovë (30%) dhe Shkup (60%).