Përmes një njoftimi të posaçëm Drejtoria e Tatimeve ka bërë me dije se të gjithë individët që janë subjekt i deklarimit vjetor të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), duhet të raportojnë me saktësi në këtë deklaratë edhe të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Tashmë ky raportim do të kryqëzohet me të dhënat që administrata tatimore shqiptare do të marrë nga administratat homologe, në kuadër të shkëmbimit automatik të informacionit.
'Tatimet' njoftojnë se një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë balancat e llogarive
Njoftimi i plotë
Shqipëria në vitin 2020 iu bashkua vendeve që zbatojnë standardet globale të Shkëmbimit Automatik të Informacionit mbi Llogaritë Financiare, sipas standardit CRS të OECD-së, duke shkëmbyer (jo-reciprokisht) informacionin për llogaritë financiare në Shqipëri të personave jo-rezidentë.
Standardi i Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin automatik të informacionit (AEOI) kërkon që institucionet financiare të një juridiksioni raportues, të mbledhin dhe raportojnë informacion tek autoritetet e tyre tatimore në lidhje me mbajtësit e llogarive te cilët janë rezidentë të shteteve të tjera. Një informacioni i tillë duhet të transmetohet "automatikisht" për çdo vit ndërmjet administratave tatimore te vendeve qe janë bere tashme pjese e këtij raportimi.
Sipas standardit, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë balancat e llogarive. Kjo do të bëjë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal, brenda logjikës se veprimtaria e evazorëve jo vetëm zvogëlon të ardhurat publike, por dhe dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm.
Në vitin 2021 administrata tatimore do të fillojë shkëmbimin e informacionit në baza reciproke, pra përveç dërgimit, edhe do të marrë informacion nga administratat tatimore të vendeve të tjera mbi llogaritë financiare të shtetasve shqiptarë (jo-rezidentë) në këto shtete. Kjo do të sjellë transparencë të llogarive bankare të këtyre individëve, të depozituara jashtë shtetit.
Në këto kushte, ju rikujtojmë të gjithë individëve që janë subjekt i deklarimit vjetor të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), që të raportojnë me saktësi në këtë deklaratë edhe të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim që të shmangin të gjitha paqartësitë apo penalitetet e parashikuara nga kuadri ligjor në fuqi, pasi ky raportim do të kryqëzohet me të dhënat që administrata tatimore shqiptare do të marrë nga administratat homologe në kuadër të shkëmbimit automatik të informacionit.
Për më shumë informacion mund të vizitoni seksionin përkatës të faqes zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve: www.tatime.gov.al/c/6/455/shkembimi-automatik-i-informacionit.