Edi Rama në Festivalin e Arkitekturës 'Bukë e zemër'

Opinion

E PLOTË/ Kryeministri Rama në Festivalin e Arkitekturës 'Bukë e zemër': Shqipëria sot prodhon më shumë arkitekturë sesa e gjithë Europa bashkë

7 Qershor, 19:58| Përditesimi: 7 Qershor, 20:08

  • Share

Ndodh që sot është Bajrami, një ditë e shenjtë, është festë kombëtare që pritet nga të gjitha shqiptaret pavarësisht besimit të tyre, është një ditë rrënjosur në një histori që u përket myslimaneve, të krishterëve, hebrenjve e ndoshta përmbi të gjitha,  kujtesës së përbashkët shpirtërore të njerëzimit, një histori që rrugëton në kohë, nëpër besime e në gjeografi, e mbërrin me një rëndësi të patjetërsueshme, vlerë e patjetërsueshme në zemër të asaj ku jemi sot. 

Ibrahimi, Abrahami i vjen një vizion në traditën islame, ky vizion vazhdon përsëritet për disa net dhe aty në këtë besim kur një ëndërr përsëritet rresht së qeni një ndihmë, po shndërrohet në një udhëzim, në një mesazh, në një urdhër. Në një urdhër hyjnor “Sakrifiko tët bir Ismailin, babai nuk e fsheh, ia thotë të birit, dhe djali i ri i kthjellët, i tronditur thotë: Bëj si je urdhëruar, do më gjesh me të duruarit. 

E kështu at e bir, ecin drejt së pakëndueshmes, jo me frikë, por në paqe, drejt momentit që do të sprovojë thelbin e besimit, jo bindje  e verbër, por besim rrënjësor, e ashtu siç  në momentin kur ngrihet tehu, shfaqet një qengj, sakrifica orientohet tjetërkund dhe profecia përmbushet, jo përmes vdekjes, por dorëzimit, sepse ajo çfarë ishte në altar, atë ditë, nuk ishte një fëmijë, ishte egoja, posesiviteti, iluzioni i kontrollit, e çfarë mbeti, ishte oferta më e qëndrueshme nga të gjitha, lidhja midis ëndrrës dhe besimit për ta çuar përpara.

Ky është kuptimi që kremtojmë sot, jo ritualin, por lirimin, jo thikën, por mëshirën, jo pushtetin për të marrë, po hirin për të dhënë, jo ofrimin e mishit, por të vetes.  Dhe në mënyrën e vet, kaq radikale e rrënjësore, është arsyeja pse jemi mbledhur këtu. 
Sepse të gjithë e dimë, Shqipëria nuk është një vend që tërheq arkitektët më vizionarë të botës me para apo me shkëlqime, i tërheq me një gjë shumë më të vështirë për t'u përkufizuar, por të pamundur për të falsifikuar, besimi i përbashkët në realitetin e një ëndrre dhe besimi që mund të mbartet, jo vetëm këtu, por sidomos këtu. Diçka, plot jetë, e papërsëritshme diçka ende e lirë, në mënyrë të pabesueshme e lirë, nga komforti i rregulloreve që nuk mbysnin.

Ky festival në mënyrën e vet është një bajram i shpirtit, një akt i hedhjes së hapave përpara, jo për të dominuar tokën, po për ta dëgjuar, jo për të imponuar, po për të përfytyruar së bashku, jo për të sakrifikuar një vizion për një tjetër, po për t'i lënë egot tona që diçka e përbashkët, diçka më e madhe të lindë në vend të tyre. 

Dhe nëse kjo duket rastësi, kjo bërje bashkë ka një nisje të re dhe një ditë të shenjës, më duhet të them dhe më besoni, kam bërë shumë rrugë në çdo kuptim dhe mirë a  keq, nuk besoj në rastësi dhe ju ftoj secilin prej jush të ndjeni lidhjen midis kësaj dite e kësaj aventurë të re për ta marrë këtë konvergjencë të pangjashme, jo si rastësi, si shans, por si bekim. 

Të nderuar arkitektë të rinj e me përvojë, miq të çmuar të Shqipërisë, që keni ardhur këtu vit pas viti e muaj pas muaji nga të dyja hemisferat e botës për t'u bashkuar me ushtrinë e fuqishme shqiptare të arkitektëve, 

Arkitektura mund të transformojë jo vetëm hapësirat, por edhe mendjet. Jo vetëm vendet, po kështu dhe imagjinatën e një komuniteti, ndjesinë e vet të përkatësisë në vend, vizionin për të ardhmen dhe vetëbesimin e tij.

Miq të dashur të ftuar në këtë ushtri, arkitektë, studentë, të rinj, iu uroj mirëseardhjen e ngrohtë këtu në zemrën pulsuese të Tiranës, në një Shqipëri që sot prodhon më shumë arkitekturë sesa e gjithë Europa bashkë, ndërkohë që ngjit hapat përfundimtarë që ende e ndajnë nga Olimpi Europian. 

Sot, këtu nisim së bashku një aventurë të re për të krijuar një hapësirë në formë shpirtërore e jo një hapësirë, ku duhet ndërtuar arkitektura, por duhen dëgjuar arkitektët. Të dëgjohen se cila mund të jetë lëvizja tjetër për t'u marrë në konsideratë apo për t'u braktisur, hapi tjetër për t'u hedhur apo për t'u shmangur, sfida tjetër për t'u përqafuar, apo për t'u lënë të shkojë. 

Dikush, ndoshta mund të bëjë pyetje. A kanë të bëjnë këto dilema me arkitekturën, me politikëbërjen, me jetën apo me diçka krejt tjetër? E vërteta është që nuk shoh vija të mprehta ndarëse midis tyre, e kur flas për arkitekturën gjej shumë pak që qëndron jashtë prekjes së saj, ndoshta e kam gabim, apo krejt i njëanshëm, i mbërthyer nga tërheqja e arkitekturës dhe mendjet që e prodhojnë. Megjithatë mund t'ju them pa hezitim që të dëgjosh arkitektët e vërtetë dhe të gjurmosh procesin e tyre krijues është një formë e jashtëzakonshme edukimi jashtë kurrikular në politikëbërje, të kuptosh forcat me të cilat përballen të natyrës e të vullnetit njerëzor, është të hedhësh një sy të gjithë atyre mënyrave që duhen për të marrë vendime dhe për të ndjekur tensionin në të ardhmen e kompromiseve që duhet të ndjekin që nga grima e një ideje që lind deri tek terreni i brishtë i realitetit, pa e prishur atë, por duke e bërë të qëndrojë ashtu krenar, është një masterclass rezistence për këdo që është i vendosur t'i japë formë ëndrrës së vet. 

Jemi këtu për të bërë një bast shumë të fortë për arkitekturën si një katalizator në një shoqëri ku duhet negociuar, rinegociuar, marrëdhënie, qoftë shpirtërore, ashtu dhe territoriale, duke mësuar nga e shkuara, duke u përballur me të ardhmen. 

Në fakt, kemi gjetur një emër për hapësirën që kemi nisur të krijojmë festivali “Bukë e zemër”, gjetëm edhe një moto, “sillni pak kripë, ju lutem”!

Shprehja “bukë e kripë e zemër” është trinia e mikpritjes së shenjtë shqiptare, që ka mbajtur frymën tradicionale të kësaj toke dhe kodin tonë të nderit që na kërkon të mirëpresim miq, udhëtarët e të huaj, duke ndarë gjithçka kemi, por jo më pak se “bukë për stomakun, kripë për shije, e ça ka më rëndësi zemrën për sigurinë e tyre.” 
Pra, ja ku jemi këtu, me një ushtri të fuqishme arkitektësh, në një rrekje për të pushtuar të ardhmen që kanë ndalur për një moment për të lindur për t'i dhënë jetë një festivali që përveç vizionit edhe motos ka edhe misionin që përmes “bukës e zemrës” të formësojë një destinacion, një takim me të ardhmen këtu në Shqipëri, po është për arkitektët e njohur, por jo vetëm për ta, jo vetëm për siguritë e tyre, arritjet apo trofetë e tyre, por ka të bëjë edhe me ato që i trazojnë, i shqetësojnë, i zemërojnë, i provokojnë, edhe i frymëzojnë ata. 

Ideja është të ndajmë një hapësirë, si të ishte një pyetje, reflektojmë për dyshimet që mbartim, shpresat që ushqejnë dhe ëndrrat që mendojmë se ia vlen të ndiqen. Ka diçka që është trazuese, por po kështu edhe që ngre këtë pyetje. Fjala e përbashkët duket tashmë sikur është e pakapshme, duket sikur individualizmi kuron disa dhoma ekologjike dhe ndërkohë ajo çfarë është e përbashkët po na rrëshket gishtash. Jo domosdoshmerisht nga dashakeqësia, por përmes shkatërrimit, përmes lodhjes e harresës, kemi harruar si të degjojmë, si të mos biem dakord pa krijuar ndasi. Si të ndërtojmë pa dominuar, si të ndajmë pa dyshuar. 
Ndonjëherë ata që shpëtojnë fjalën e përbashkët e bëjnë këtë për të krijuar ndasi më të thella, për të ndarë në mënyrë dashakeqe për të krijuar kufij, për të krijuar hierarki përkatësie. 
Kjo është saktësisht arsyeja pse jemi thirrur këtu, për t’u përballur me të. Një botë krizash që shumëfishohen, natyrore dhe të bëra nga njeriu, ku vetë  ideja ne është e rrethuar, ku dialogu zhytet në zhurmë dhe politika drejtohet nga frika, ku suksesi matet nga lartësia dhe jo nga afërsia dhe ambicia personale harron shpesh përgjegjësinë për të tërën. 
Kësisoj ky takim nuk është vetëm kremtim arkitekture, por një lloj arkitekture në vetvete, një konstrukt njerëzor, ndërtuar mbi rrënojat e brishta të asaj çfarë kemi trashëguar, mbi ëndrrat që ne shpresojmë ende që të realizohen, një ftesë për të kujtuar dhe për të krijuar. Për të kujtuar çfarë do të thotë të kemi diçka të përbashkët qoftë në traumë a aspiratë e për të krijuar atë çka mungon ende e çfarë është më urgjente të kujtojmë ta ndajmë atë. 
Ashtu si ndërtuesit e lashtë ndërtuan tempuj jo vetëm për të strehuar perënditë, por për të mbajtur komunitete dhe për të pritur miqtë e largët apo si ata që mbi rrënojat e luftërave nuk ndërtuan vetëm shtëpi por edhe shpresa. Kështu kërkohet dhe nga ne, të ndërtohen jo monumente guri, por hapësira kuptimi, jo struktura betony, por shtyllë mirëkuptimi prandaj është shumë kuptimplotë që një prej arkitektëve tanë thelbësor nga Europa, Shtetet e Bashkuara, Kina, Korea e Jugu kanë vendosur të vijnë këtu në Shqipëri, jo si yje vetmitarë që hedhin dritë mbi një tokë të huaj, por si pjesëmarrës në një eksperiment të përbashkët, që ndërtohet, jo vetëm ne një vend, por bashkë me vendin. 

Duke mbartur hijeshinë e traditës së tyre me idetë që vijnë nga formësimi i qyteteve të tyre, materialet e ndryshme gjithashtu dhe barrat e krizave, krizat në shtëpi, në vendet e tyre, krizat në një botë që po tkurret ora -orës, krizat që janë të bëra. Por këtu në Shqipëri ndodh diçka mjaft e veçantë, ata jo vetëm priten, por mikëpriten, jo vetëm mikëpriten, por integrohen. Integrohen nga një vend dhe njerëz, pejzazhi i të cilit është po kaq i larmishëm sa e shkuara dhe ku modelet njerëzore të jenë të vështira për t’u gjurmuar. 

Ndoshta për shkak të kësaj paparashikueshmërie, për shkak se nuk ka thjeshë rutinë, nuk ka parashikueshmëri e shkuara është tragjike dhe e ardhmja guximtare. Përvoja mbetet poroze. Mjaft e hapur për t’u ndarë dhe ky takim i asaj çfarë sjellin e gjejnë diçka që është as e lindur dhe as e sjellë, por diçka midis një sinteze, një bisedë, jo vetëm në beton, drita, por në mish e gjak, jo një kolazh stilesh, por një komunitet qëllimesh, narrativa, vizione e dobësi. 

Ajo çfarë vjen këtu nuk është vetëm ndërtim, por është një autorësi e përbashkët e vendit, një autorësi e përbashkët, ku e veçuara shtrihet në të përbashkët dhe ku çdo “unë”, çdo “ne” shndërrohet me një gjurmë e lidhur me një gjurmë tjetër e tjetër si gjurmë që formojnë një rrugë. 

E ndoshta kjo është pjesa më e çmuar, që duke ndërtuar këtu arkitektët, jo vetëm lënë një shenjë a kontribut, por çojnë diçka përpara. Na ndihmojnë të shohim, jo vetëm një shteg, por shumë shtigje, ndonjëherë të drejta, ndonjëherë zik zak-e, duke ndërtuar një gjeometri përkatësie. Ka një energji të mirëfilltë në atë çfarë mund të gjenerojnë arkitektët, një energji që rrjedh, vërshon tek ne që na transformon e që formëson vetë vendin me një energji që vjen nga ambicia shqiptare dhe nga ambicia për një përgjigje të përbashkët për të mirën, jo vetëm të Shqipërisë, por të çdo vendi pjesëmarrës të kontinentit tonë edhe pse jo të botës sonë të përbashkët, një energji e marrë nga energjia e kohës sonë, e transformuar në vullnetin kolektiv për t’iu përgjigjur, jo vetëm për shkak të kërshërisë profesionale, por për hijet, impulsin njerëzor të kuptuar. 

Këtu është bukuria e vërtetë, në momentin kur takohemi përtej roleve tona, përtej rezymeve tona. 

Në atë hapësirë të rrallë, ku dija profesionale shkrihet me instinktin njerëzor, ku projektimi qëndron përtej dyshimit dhe aftësia ecën më dobësinë, aty me këtë tension ndërtohet diçka afatgjatë dhe e forte, jo vetëm me arkitekturën, por përmes arkitekturës për të gjithë ne. 

Jam vërtetë i mallëngjyer, iI prekur sot sepse ia vlen të thuhet përpara mendjeve kaq të jashtëzakonshme, urrej meqë ra fjala t’i quaj yje, që Shqipëria është kthyer si një portë shprese, jo si slogan, por një përvojë e jetuar për të gjithë arkitektët ndërkombëtarë, të cilët  vijnë në numra, që vetëm pak vite më parë nuk do t’i kishim imagjinuar, por edhe për zhvilluesit do të më duhet të them, të cilët po mësojnë dalëngadalë se shpresa nuk rritet, duke shmangur standardet e letra, por duke u rritur për t’i arritur ato dhe për të patur vlerë ne atë çfarë ndërtojnë, jo vetëm kualifikimin e tyre, por edhe për këtë vend. Jo vetëm për xhepat e tyre, por për vendin e fëmijëve të tyre e jo vetëm për vendin ton, por po, dhe për botën. 

Tirana sot nuk është më vetëm një skenë, është katalizator, nuk është më një vendndodhje, por një bashkëpunëtor. Projektet që lindin në Shqipëri nuk janë mediokritete lokale apo klishe globale, janë të gjalla dhe izoluese me vlerë sepse vijnë nga shkrirja e asaj që është thellë e rrënjosur, në një botë fiksuar me ikona, me autorship, me pronësi. 

Ajo çfarë shpaloset qetësisht këtu, duket thuajse supersive, diçka që krijohet si e përbashkët, por si asgjë tjetër më parë dhe këtë kërkon festivali. Dhe çfarë është më e rëndësishme guxon të ndërtojë midis asaj që është vërtet e përbashkët, jo me kujtesën apo diçka tjetër, por si një akt krijimi, shenjë e bukur e kësaj fryme shihet tek të ftuarit e ushtrisë së arkitekturës. Shumica e tyre s’kanë ardhur me staf, por me shokë nga fusha të tjera të jetës, që ndoshta nuk dinë të heqin një vijë, por mbartin atë çka ka më shumë vlerë, përvojën njerëzore të një dhurate unike e na kujtojnë se e ardhmja, nuk ndërtohet vetëm e sigurisht jo brenda kufijve të ekspertizës sonë. 
Arkitektura mund të jetë shembulli më i qartë i kësaj dhe këta të ftuar kanë vlerë pikërisht sepse sjellin diçka, jo teknike, por emocionale, intuitive, kulturore. Sjellin histori, kontradikta, pikëpyetje, sjellin atë lloj ujdie që hapësirat profesionale shpesh e harrojnë dhe duke  e bërë këtë, ata plotësojnë tablonë sepse ky festival nuk ka të bëjë me arkitekturën si profesion, ka të bëjë me arkitekturën si aktin më të afërt njerëzor, më të afërmin drejt hyjnores, të krijosh hapësira ku e vërteta mund të rritet dhe të mbrojë veten, ku nevoja jonë e lashtë për të përkitur, për të lidhur,  për të lenë një shenjë të bëhet diçka që ndajmë të gjithë. Nëse ajo që është vërtetë e përbashkët nuk nis me instrumente e me siguri, por me kurajën për t’i lënë të tjerët të hyjnë dhe kurajën për të ndryshuar në këtë festival që nis sot, është pikërisht gjëja e duhur në pikërisht në gjënë e duhur dhe tamam në vendin e duhur e le të shohim ku na çon po ku do të na çojë, por edhe nëqoftëse s’na çon kurrkund, le të sigurohemi që ndërsa jemi bashkë buka është e bollshme, zemra është e hapur dhe kripa s’mungon kur është e nevojshme. 

Faleminderit!

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?