TIRANË - Sot (1 mars) 40 ditë pas ndarjes nga jeta të Kryepiskopit Anastas, në shërbesën e zhvilluar në Kishën Katedrale 'Ngjallja e Krishtit' në Tiranë', u lexua dhe testamenti i lënë prej Kryepiskopit. Ai ka shkruar testamentin fillimisht më 10 mars 1997 dhe është korrigjuar dy herë, në vitet 2008 dhe 2015. Siç u lexua, në testament Kryepiskopi i ndjerë i ka lënë Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, depozitat financiare në emër të tij. Amanet lë përfundimin e Katedrales 'Ngjallja e Krishtit' si dhe të gjysma tjetër të investohen që këto të përdoren për mbështetjen e pagave të klerikëve dhe zhvillimin e programeve rinore të Kishës së Shqipërisë.
Për sa i përket pasurisë letrare, Kryepeshkopi ia dorëzoi Bibliotekës Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” “Të drejtat e autorit nga shitja e librave t'i depozitohen në Qendrën Ndërortodokse 'Porefthendes'.
Testamenti i plotë:
I bekuar qoftë emri yt, o Zot! Me mirënjohje të thellë reflektoj mbi vitet që kam kaluar në këtë tokë, në këtë anije kozmike të mrekullueshme, me drejtim drejt të pakufishmes.
Të falënderoj Ty, Trini e Shenjtë, që më zbulove se pafundësia është Dashuria: TI. Dhe më thirre që nga fëmijëria ime në një pjesëmarrje aktive në aventurën e dashurisë Sate, duke më denjësuar, me hirin e Mistereve të Kishës, të jetoj si një qelizë në Trupin mistik të Krishtit, në “një Kishë, të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike”.
Të falënderoj Ty, sepse, pavarësisht varfërisë dhe dobësisë sime shpirtërore, më pranove që t’i shërbej njeriut në kufij të ndryshëm, gjeografikë dhe shoqërorë, duke soditur misterin e Kryqit dhe të Ngjalljes, shpesh “në shtrëngime të shumta, po me gëzim të Shpirtit të Shenjtë”. (1 Sel. 1:6)
Falënderoj, gjithashtu, “nga thellësia e zemrës” prindërit e mi të paharruar, mësuesit kryepriftërinj dhe udhëheqësit shpirtërorë që më mbështetën në udhëtimin tim shpirtëror, të afërmit e mi të dashur, vëllezërit dhe motrat sipas mishit dhe frymës, bashkëpunëtorët në misionin ungjillor, ish-studentët dhe studentet e mia, vëllezërit e dashur afrikanë dhe, së fundi, popullin e zgjedhur të Zotit, Kishën e Shqipërisë, për dashurinë dhe përkushtimin e tyre të përzemërt.
* * *
Me hirin e Perëndisë, nuk kam as pasuri të paluajtshme dhe as të luajtshme. Çdo gjë që kam fituar ndër vite, tashmë është vënë në shërbim të veprave të dashurisë.
Depozitat financiare në emrin tim, si Kryepiskop, i përkasin Kishës së Shqipërisë. I lutem ekzekutuesve të testamentit tim që gjysma e shumës së këtyre depozitave të përdoret për përfundimin e Katedrales së Ngjalljes në Tiranë, ndërsa gjysma tjetër të ruhet dhe të investohet në mënyrë të përshtatshme, duke siguruar që të ardhurat nga këto investime të përdoren për mbështetjen e pagave të klerikëve dhe për zhvillimin e programeve rinore të Kishës së Shqipërisë.
Të drejtat e autorit nga shitja e librave të mi, lutem të depozitohen për Qendrën Ndërorthodhokse “Porefthentes”.
Ekzekutues të këtij testamenti caktoj Kryepiskopin që do të më pasojë, dhe Kryesekretarin e Sinodit të Shenjtë, Mitropolitin e Amantias Nathanail.
Të lartpërmendurit le të kujdesen që, ato pak sende që kam përdorur t’u ndahen “në shenjë kujtimi”, bashkëpunëtorëve të mi të përzgjedhur, të cilët me përkushtim dhe vetëmohim ecën krah meje dhe shërbyen me mua në Kishë.
Librat e mi të dorëzohen në bibliotekën e Akademisë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, ndërsa disa prej tyre, në mënyrë simbolike, t’u dhurohen Mitropolive të tjera. Librat që ndodhen në Athinë të dhurohen për bibliotekën e Qendrës “Porefthentes”.
* * *
Gjatë jetës sime, duke shërbyer në pozicione të ndryshme kishtare dhe në organizma të tjerë ndërkombëtarë, pa dyshim kam lënduar shumë vetë, qoftë nga dobësia, qoftë nga rrëmbimi i çastit. Në këtë orë të shenjtë të përshëndetjes, kërkoj ndjesën e tyre. Nga thellësia e shpirtit i fal të gjithë ata që, me dashje apo pa vetëdije, me padrejtësi, intriga dhe shpifje, e bënë udhëtimin tim më të vështirë dhe më të mundimshëm.
* * *
Me fuqitë e mia të pakta u përpoqa të shërbej në hapjen e horizontit të orthodhoksëve të sotëm ndaj përgjegjësisë sonë apostolike dhe ekumenike – në Greqi, në Afrikë, në arenën ndërkombëtare kishtare – dhe, veçanërisht nga viti 1991, iu përkushtova ringritjes së Kishës së shumëvuajtur të Shqipërisë, të cilën e desha me gjithë shpirt. Çdo gjë thelbësore që është arritur i përket hirit të Perëndisë.
Dhe tani, vëllezërit e mi, bashkëpunëtorë, bijtë e mi të dashur shpirtërorë në Shqipëri, Greqi, Afrikën Lindore dhe në vende të tjera të botës, “gëzimi dhe kurora ime”, ju përshëndes për herë të fundit, duke ju uruar atë që mund të dëshiroj më shumë: “Prandaj ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jisu Krisht, prej të cilit quhet çdo atësi në qiej e mbi dhe, që t’ju japë juve sipas pasurisë së lavdisë së tij të forcoheni në fuqi me anën e Shpirtit të tij në njeriun e brendshëm; që të rrijë Krishti në zemrat tuaja me anën e besimit, që të rrënjosur e të themeluar në dashuri të mund të kuptoni bashkë me gjithë shenjtorët ç’është gjerësia dhe gjatësia dhe thellësia dhe lartësia, edhe të njihni dashurinë e Krishtit, e cila kapërcen çdo dituri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.” Efes 3:14-19
Ju lutem, mos reshtni së luturi që Perëndia të më mëshirojë edhe mua, shërbëtorin e Tij mëkatar dhe të padenjë, dhe të më pranojë të penduar në pafundësinë e dashurisë së Tij.
“Edhe atij që sipas fuqisë që veprohet tek ne mund të bëjë shumë më tepër nga të gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Jisu Krishtit në gjithë brezat e jetës së jetëve. Amin.” Efes 3:20-21
Më i vogli ndër episkopët
Kryepiskopi i Tiranës, Anastasi
Tiranë, 10 mars 1997
E korrigjuar më 27 qershor 2008
E korrigjuar më 24 qershor 2015
Komente
