E pritën si hero pasi fitoi medaljen në Europë, boksieri Zeneli: Historike! Meritoja të artën, por arbitri më penalizoi

27 Prill 2022, 14:27| Përditesimi: 27 Prill 2022, 14:38

  • Share

Kjo pritje është e denjë për kampionët e mëdhenj të boksit. I tillë është edhe Ariol Zeneli, 17-vjeçari i cili në kampionatin Europianit për të rinj që përfundoi me 22 prill, u shpall nënkampion, duke fituar medaljen e argjendtë.

“Jam shumë i kënaqur, pasi është një rezultat shumë shumë i lartë. Është një nga rezultatet më të mëdhenj në Shqipëri. Kjo falë punës së përkushtuar,”-u shpreh Ariol Zeneli, boksier.

“U paraqit sportisti më i mirë në të gjithë Europianin. Boksieri më teknik dhe më luftarak i kompeticionit. Ky ishte një nder për kombin tonë,”-deklaroi Gëzim Zeneli, trajner boksi.

Si boksieri ashtu edhe trajneri e kanë një peng nga Europiani, pasi mendojnë se medalja e arit ishte e tyre.

“Nëse do kishte një gjykim të drejtë do isha shpallur kampion Europe, gjë që nuk ndodhi sepse jemi një shtet i vogël dhe nuk kemi shumë përkrahje. Gjithsesi edhe vendi i dytë është një arritje shumë e madhe për ne,”-tha Ariol Zeneli, boksier.

“U bë një padrejtësi jashtëzakonisht e madhe pasi ndeshja ishte 5-0 për Ariolin. Të gjithë specialistët nga bota që ishin aty e vlerësuan Ariolonin si një sportist të madh,”-u shpreh Gëzim Zeneli, trajner boksi.

Kjo situatë nuk e demoralizon aspak kampionin e vogël nga Vlora, i cili pretendon të tjerë tituj të mëdhenj shumë shpejt.

“Synimi i ardhshëm është në nëntor në kampionatin botëror që zhvillohet në Spanjë. Mendojmë dhe shpresojmë të marrim një medalje,”-deklaroi Ariol Zeneli, boksier.

Përveç titujve në garat ndërkombëtare Ariol Zeneli është edhe 5 herë kampion i vendit në kategorinë 51 kilogramë. Ai gjithashtu vjen nga një familje me traditë në këtë sport, pasi edhe dy vëllezërit e tjerë merren me boks.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?