Politikë

E prodhojmë vetë energjinë? Përgjigjet Rama: Legjendë mediatike! Kur të fitojmë sovranitetin energjitik atëherë po, ulja e çmimit historike

9 Janar, 09:37| Përditesimi: 9 Janar, 17:05

  • Share

TIRANË - Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi që ka shprehur shqetësimin për çmimet e energjisë dhe krahasimin me pagat e ulëta, duke theksuar se ky është një "legjendë mediatike" pa lidhje me realitetin.

'E prodhojmë vetë energjinë o Ed, duhet me e ul më tepër, kemi çmimet e Europës dhe rrogat e Afrikës', shkruante një komentues në facebook të Ramës.

Ai ka sqaruar në episodin e dytë në Facebook të 'Sy më sy' se Shqipëria prodhon 70% të energjisë së nevojshme në vitet me kushte hidrikë të favorshme dhe 65% në vitet e thata, dhe ka shtuar se synimi është që deri në vitin 2030 të arrihet pavarësia energjetike, duke u mbështetur në burime të rinovueshme si energjia diellore dhe eolike.

‘Kjo është një legjendë mediatike pa asnjë lidhje me realitetin. Shqipëria prodhon 70% të nevojave të veta në një vit të mirë hidrik dhe vetëm 65 % në një vit të thatë. Do e prodhojmë vetë energjinë për të gjitha nevojat tona, brenda vitit 2030. Kur do kemi fituar sovranitetin energjitik me realizimin e investimeve me prodhimin nga dielli por edhe nga era që po vazhdojnë me dy nivelet e pompimit të ujit në Kaskadën e Drinit, ku po punojmë me partnerët tanë norvegjez.’

Rama e ka cilësuar uljen e çmimit të energjisë me 10.5% si një arritje historike, pasi është e para ulje në 35 vjet dhe ndodhi pas krizës energjitike globale të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Ai theksoi se kjo është rezultat i një transformimi të sektorit energjetik gjatë dekadës së fundit.

'Ulja me 10.5 % të çmimit të energjisë është historike, për faktin se është e para ulje në 35 vjet dhe e vetmja ulje në këtë pjesë të botës pas krizës së luftës në Ukrainë. Është fryt i një arritje historike në transformimin rrënjësor të sektorit dekadën e fundit. Jo pra nuk është aq po është 10.5% ulje dhe çmimi më i ulët i energjisë dhe jam krenar që e arritëm kur mendoj se e nisëm nga buza e humnerës. Ne nuk e prodhojmë vetë për nevojat tona energjinë. Kjo është një legjendë mediatike siç e shpjegova pak më parë. Sot 10% të prodhimi të energjie e kemi nga dielli dhe brenda 2030 do arrijë në 30%.'

Për më tepër, ai theksoi se Shqipëria është lider në rajon për prodhimin e energjisë diellore, me 196 megavatë të instaluar, duke tejkaluar Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit. Ai përfundoi duke theksuar se, megjithëse Shqipëria ende nuk është plotësisht e pavarur energjetikisht, po ecën në drejtim të një të ardhmeje më të qëndrueshme.

‘Jemi të parët në rajon për vetëprodhim të energjisë diellore nga familjarët dhe bizneset falë mbështetjes së qeverisë me 196 Megavat, Serbia e dyta me 51 megavat dhe pastaj Kosova, Mali i Zi e RMV me 14-18 megavat. Shqipëria po bëhet dhe nuk duhet të duash qeverinë për ta pranuar këtë.’

G.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?