Sociale

E rëndë/ 12-vjeçari vdes në Pediatrinë e Tiranës! QSUT: Humbi jetën nga miokarditi akut, sëmundje e rrallë! Familjarët: S’kishte sëmundje, diabetin ia rritën ilaçet

8 Janar, 13:51| Përditesimi: 8 Janar, 18:16

  • Share

TIRANË- Leo Sadiku, 12-vjeç nga fshati Pocestë i Maliqit, ndërroi jetë mëngjesin e së mërkurës në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës. I mituri ishte transportuar një ditë më parë në gjendje të rëndë nga Spitali i Korçës drejt Pediatrisë së QSUT me tension të lartë, glicemi të lartë, të vjella dhe temperaturë.

QSUT zyrtarisht tha se pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë. Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet, thuhet në njoftim.

Për shkak të moshës së re dhe vdekjes së papritur nga zemra, Policia e Korçës ka nisur hetimet për të zbuluar nëse ka pasur neglizhencë mjekësore gjatë trajtimit në spitalin e Korçës, ku fëmija u paraqit me simptomat e gripit. 12-vjeçari kishte dalë nga ky spital më 31 dhjetor për t’u rikthyer në gjendje të rëndë më 7 janar. Mjekët e Korçës e kanë nisur në Tiranë për mjekim të specializuar, ku dhe humbi jetën për shkak të miokardit akut.

Jashtë kamerës, familjarët thanë se djali ka qenë i shëndetshëm dhe nuk ka vuajtur nga asnjë sëmundje, madje merrej me futboll. Sipas tyre, mjekët nuk e trajtuan siç duhej, e shtruan për COVID, por pati shtrëngim në gjoks dhe humbi jetën.

Ata theksuan se 12-vjeçari ka pasur vetëm virozë dhe asgjë tjetër kur ishte i shtruar 10 ditë më parë në Korçë. Sipas familjarëve, fëmija nuk vuante nga zemra as diabeti, pavarësisht se ditën e fundit, për shkak të mjekimit, niveli i glicemisë në gjak ishte tejet i lartë.

Pavarësisht këtyre pretendimeve për mjekim të gabuar, familjarët nuk kanë pranuar të kryejnë ekspertizën mjeko-ligjore, çka e vështirëson hetimin e Policisë së Korçës për zbardhjen e plotë të shkakut të vdekjes së 12-vjeçarit.

Ora 16:40
Vdekja e 12-vjeçarit te Pediatria, reagon QSUT: Humbi jetën nga miokardi akut

1729503204_qsut.JPG

QSUT ka reaguar për vdekjen e 12-vjeçarit Leo Sadiku. Teksa u shpreh ngushëllimet familjarëve, QSUT në reagimin për mediat thotë se 12-vjeçari u nda nga jeta si pasojë e miokardit akut. QSUT shpjegon se i mituri u shtrua në Pediatrinë e QSUT më datë 7 janar 2025 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45.

"QSUT i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së 12-vjeçarit L.S në këtë moment të vështirë. Nisur nga interesi i publikut për rastin tragjik të ndarjes nga jeta të 12-vjeçarit, informojmë se pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2025 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.

Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet. Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjes dhe interesin e publikut, QSUT riafirmon përkushtimin për transparencë dhe për ofrimin e trajtimeve më të mira për çdo pacient", thuhet në reagim. 

Ora 16:09
Lule në bankën e 12-vjeçarit që u nda nga jeta, shkolla në Maliq mesazh prekës: Leo do jesh gjithmonë me ne

1736349030_luleperleosadikun.jpg

Lulet në bankën e Leo Sadikut

Homazhe në shkollën 9-vjeçare Vashtëmi në Maliq, për 12-vjeçarin Leo Sadiku që u nda nga jeta. Bashkëmoshatarët e tij kanë vendosur në bankën e 12-vjeçarit lule, ndërsa shkolla në një mesazh prekës thotë se Leo do të jetë gjithmonë me ne.  

“Stafi mësimor dhe nxënësit e shkollës sonë humbën sot në mënyrë të papritur nxënësin e klasës së shtatë Leo Sadiku. I shprehim ngushëllime të sinqerta familjes Sadiku! Leo do të jesh gjithmonë me ne”, shkruan shkolla 9-vjeçare Vashtëmi.

Ora 16:00
Ëndrra për t’u bërë futbollist iu pre në mes, 12-vjeçari që humbi jetën pjesë e KF Maliqit

1736347248_leosadiku.jpg

12-vjeçari që humbi jetën, Leo Sadiku

12-vjeçari Leo Sadiku që humbi jetën në QSUT ëndërronte të bëhej futbollist. Ai ishte pjesë e KF Maliqit, U-13. Ekipi i KF Maliqit përmes një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimit për ndarjen e tij nga jeta.

“Prehu në paqe Leo Sadiku! Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike, ku për shkak të probleme shëndetësore ka humbur jetën në moshën 12-vjeçare, futbollisti i Maliqit U-13.

Klubi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sadiku për këtë humbje të rëndë! Zoti u dhëntë forcë për ta përballuar dhimbjen e madhe “, shkruan KF Maliqi.

S.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Eni: 08/01/2025 20:09

    Nje engjell u ngrit ne qiell

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?