Durrës- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në bregdetin e Durrësit.
Një pushuese e moshuar nga Bosnjë Hercegovina, që kishte ardhur si turiste, humbi jetën aksidentalisht teksa po lahej në det.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 16:30, në lagjen nr. 13, Durrës.
“Dyshohet se është mbytur aksidentalisht, teksa po lahej në det, shtetasja S. T., 66 vjeçe, banuese në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha policia vendore pas hetimeve paraprake të kryera.
Mbetet i panjohur shkaku i vdekjes, nëse turistja ka pësuar ndonjë atak kardiak në ujë apo rrethana të tjera shëndetësore që çuan më pas në mbytje, e që pritet t'i zbardhë ekspertiza mjeko-ligjore. Me gjithë ndërhyrjen e të pranishmëve, ka qenë i pamundur shpëtimi i saj.
“Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e shkakut të mbytjes”, tha policia.
Komente
