ITALI - Një foshnjë 9-muajshe, Giulia L., ka humbur jetën pasi është sulmuar për vdekje nga një pitbull brenda banesës së saj. Ngjarja e rëndë ndodhi natën e kaluar në Acerra, provincë e Napolit.
Babai i vogëlushes, V. L., i cili ndodhej i vetëm në shtëpi me të, i tha policisë se e kishte gjetur vajzën në shtratin e saj, e mbuluar në gjak, pasi ishte sulmuar nga qeni që familja mbante prej rreth një viti. Nëna e foshnjës ndodhej në punë në një restorant në atë moment.
Babai e dërgoi menjëherë të bijën në krahë në urgjencën e klinikës “Villa dei Fiori”, por mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar. Giulia kishte plagë të rënda nga kafshimet në fytyrë dhe në kokë dhe humbi jetën në spital. Policia u njoftua nga stafi mjekësor rreth mesnatës.
Në spital babai pretendon se sulmi u krye nga një qen endacak, nëna e sulmon mes lotëve
Fillimisht, në spital, babai i fëmijës tentoi të justifikonte ngjarjen duke pretenduar se e bija ishte sulmuar nga një qen endacak. Megjithatë, kjo histori u rrëzua menjëherë nga hetuesit.
Momenti kur nëna e fëmijës mbërriti në spital ishte dramatik: e dërrmuar nga dhimbja, ajo shpërtheu në britma kundër partnerit të saj dhe e sulmoi mes lotëve. Të dy prindërit, të cilët janë nën moshën 30 vjeç, ndodhen në gjendje shoku.
Hetimet dhe autopsia
Prokuroria e Nola ka hapur një hetim mbi rastin dhe ka urdhëruar sekuestrimin e trupit të foshnjës për kryerjen e autopsisë. Gjithashtu, është sekuestruar edhe banesa ku ndodhi ngjarja për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Hetime po kryhen edhe për qenin që shkaktoi tragjedinë.
Sipas dëshmisë së dhënë nga babai, ai ishte shtrirë për të fjetur bashkë me vajzën dhe kur u zgjua, e gjeti të mbuluar në gjak, pa dëgjuar asgjë gjatë natës.
“Ai pitbull kishte vrarë një qen më parë”
Banorët e lagjes Icesnei në Acerra, që ndodhet përballë klinikës, e përshkruajnë qenin si agresiv. “Një vit më parë ai sulmoi një qen të vogël dhe e vrau”, rrëfen një dogsitter për gazetën Repubblica.
Shërbimi veterinar i ASL ka marrë në kujdes pitbullin. Sipas fqinjëve, familja mbante dy qen në banesë. “Ne e kishim paralajmëruar disa herë që pitbulli ishte agresiv,” thotë Lorella Siesto, një nga fqinjët. “Kemi njoftuar edhe policinë disa herë, por ata na thoshin se nuk do të dëmtonte askënd,” shton Rosanna D’Angelo.
Ajo kujton gjithashtu skenën kur qeni vrau një kafshë tjetër: “Ishim në ballkon kur sulmoi qenin e vogël. Nuk mundën t’ia hiqnin nga nofullat, ishte tmerruese.”
Një rast i ngjashëm
Ngjarja sjell ndërmend tragjedinë e ndodhur në prill të vitit të kaluar në Eboli, në provincën e Salernos. Një djalë 13-muajsh, Francesco Pio, u vra nga dy pitbullë ndërsa ndodhej në krahët e nënës së tij.
Kur nëna e fëmijës po dilte nga shtëpia, qentë e sulmuan dhe e rrëmbyen foshnjën nga duart e saj. Gruaja pësoi plagë të lehta dhe u mjekua në vendngjarje. Sulmi ndodhi në një vilë dykatëshe, duke tronditur komunitetin lokal.
Komente

Si ka mundesi te zgjedhesh qenin para femijes?!Cfare babai eshte ky qe genjen e thote u sulmua nga qen endacak?! S.d.q ne kete rast kane faj dhe organet perkatese vendore.Ky pitbull kishte vrare dhe me pare nje qen tjeter.Po te ndodhte ketu ku jetoj nje gje e tille, do t'a kishin eutanazuar menjehere,kurse aty ne Itali sherbimi veteriner e paska marre pitbullin /ne kujdes/!!
Përgjigju