Pamje nga vendi i ngjarjes

Bota

E rëndë në Itali/ Gjenden dy trupa të pajetë në një park në Romë, i përkasin një gruaje dhe një foshnje 6 muajshe

8 Qershor, 07:31| Përditesimi: 8 Qershor, 19:02

  • Share

Tmerr në një park në Romë. Dy trupa të pajetë, të një gruaje dhe një foshnje 6 muajshe, u gjetën pasditen e së shtunës në Villa Pamphili. Sipas La Republica, trupi i vajzës së vogël u gjet në një vendgrumbullim mbeturinash, ndërsa rreth 100 metra më tutje ishte edhe trupi i gruas, nën një qese të zezë.

Hetimi, i koordinuar nga prokurori Antonio Verdi, do të duhet të përcaktojë shkaqet e vdekjes së dy viktimave dhe të identifikojë datën e vdekjes. Sipas raportimeve, trupi i gruas ishte në një gjendje dekompozimi ndryshe nga ai i fëmijës. Prandaj, hetuesit arsyetojnë se ato mund të kenë vdekur në dy kohë të ndryshme. Për më tepër, nga një ekzaminim fillestar, nuk u gjetën shenja dhune në trupin e gruas.

Në kërkim është shpallur një person. Disa adoleshentë pretendojnë se e kanë parë duke ecur në qendër të parkut me diçka në krahë, dyshohet trupi i vajzës së vogël. 

Trupi i pajetë i vogëlushes u vu re nga dy gra, të cilat në fillim menduan se ishte një kukull. Ata thirrën një burrë pasi nuk kishin guxim të afroheshin, ku më pas kuptuan se foshnja kishte disa dëmtime në krah dhe në këmbën e djathtë. Nga gjetjet e para, vajza e vogël që ishte e zhveshur ka vdekur më vonë se gruaja.

Dëshmitari: Vajza e vogël dukej si kukull

“Ndërsa po flisja me partneren time, mbërritën dy gra dhe më kërkuan t’i ndihmoja. Jemi të frikësuar, pamë diçka të çuditshme afër. Ishim rreth pesë metra larg asaj hapësire, dukej si një kukull e braktisur. Nuk munda ta kuptoja që ishte një vajzë e vogël, ishte në një vend të shpatuar. Ndoshta shpresoja të mos ishte kështu.”, tha ai.

“Nuk mendoj se do ta harroj lehtë këtë ditë dhe atë që pashë. Shpresoj që e vërteta të zbulohet së shpejti në mënyrë që kjo vajzë e vogël të marrë drejtësi”, thotë mes të tjerash dëshmitari.

Trupi i gruas u zbulua nga disa persona që po luanin volejboll aty pranë kur panë qesen.

"Po luanim volejboll me fëmijët tanë", thotë Giacinto Tito, një punëtor peruan 40-vjeçar. "Topi përfundoi në shkurre dhe kur shkuam ta merrnim pamë trupin, të mbuluar nga një qese e zezë. Një krah dhe një këmbë kishin dalë jashtë, menjëherë njoftuam policinë". Ende nuk është e qartë se sa kohë trupi ishte braktisur atje. "Kishte një erë të keqe", këmbëngul Tito.

 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?