Foto ilustruese

Kosova & Rajoni

E rëndë në Kosovë/ Babai vret me thikë vajzën e mitur, plagos bashkëshorten edhe fëmijën tjetër! Osmani: Shtëpia s'duhet të kthehet në skenë krimi, është strehë e shenjtë

6 Maj, 08:55| Përditesimi: 6 Maj, 13:31

  • Share

Kosovë-Një krim i rëndë në familje ka ndodhur në Prizren, ku një vajzë 15-vjeçare është vrarë me thikë nga babai i saj.

Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa lajmi është konfirmuar nga autoritet policore.

Autori me origjinë turke i cili është arrestuar nga policia gjithashtu ka plagosur edhe vajzën tjetër 10 vjeç e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe bashkëshorten  e tij.

Rreth orës 06:00 kemi pranuar informatë se një person është me thikë në dorë në rrugën “Shotë Galica”. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka parë tre persona të lënduar, dhe njëra nga të lënduarat ka ndërruar jetë”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyçi.

Sipas mediave në Kosovë autori ka tentuar të vrasë edhe veten.

Ndërkohë presidentja e vendit, Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se ky është një akt barbar ndërsa thekson se jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë.

Postimi i Osmanit

Shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi!

Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot, ku njëra vajzë vritet nga dora e babait dhe vajza tjetër mbetet e plagosur së bashku me nënën e saj, nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë. Për secilën shoqëri e secilin shtet!

Ky nuk është thjesht një krim. Është një akt barbar.

I bëj thirrje organeve të drejtësisë: veproni me forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës! Zbardhje e plotë, ndëshkim maksimal – ky është minimumi që kërkon drejtësia në këtë rast.

Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim! Parandalim për të ndalur dorën që godet, për të shpëtuar jetët që sot janë të pambrojtura.

Nuk mundemi kurrsesi të kthejmë kokën anash! Nuk ka më “është punë familjare” kur dhuna gërryen nga brenda zemrën e një shoqërie.

Shtëpia nuk guxon të bëhet vend i frikës. Duhet të mbetet strehë e shenjtë!

Ngushëllime të thella për jetën e pafajshme të humbur. Lutje për forcë dhe shërim për të mbijetuarat. Dhe zë i lartë për drejtësi!

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?