Kronikë

E rëndë në Maliq/ Dy të miturit përleshen me thikë në lokal, vdes 14-vjeçari, bashkëmoshatari arrestohet pas mjekimit në spital! U takuan për t'u sqaruar (VIDEO)

14 Gusht, 18:47| Përditesimi: 14 Gusht, 21:00

  • Share

Korçë- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Pirg të Maliqit.

Një 14-vjeçar dyshohet se ka goditur për vdekje me thikë bashkëmoshatarin pas një sherri në lokal, informon Policia e Korçës. Krimi ka ndodhur rreth orës 17:30 të pasdites së sotme (14 gusht).

I mituri Erald Xhejo, ka ndërruar jetë në spital pas plagëve të marra, ndërsa tjetri u dërgua për mjekim, pa rrezik jete dhe u mbajt për rreth katër orë nën mbikëqyrjen e Policisë, derisa u nxor me pranga në duar dhe u dërgua në Komisariat për hetime të mëtejshme.

Gazetari i Report Tv, Armand Braho, informon se viktima është nga fshati Zvirinë, kurse autori nga fshati Leminot, teksa të dy kanë lënë takim për t'u sqaruar në fshatin Pirg.

Paraprakisht informohet se gjatë sherrit të miturit janë përleshur mes tyre, ku njëri ka përdorur thikën, teksa kanë marrë të dy plagë. Rrethanat dhe dinamika mbeten ende të panjohura dhe po hetohen. Por dyshohet se 14-vjeçarët kanë pasur sherr të mëparshëm mes tyre dhe janë ulur në lokal për t'u sqaruar. Në vend të sqarimit përfunduan në përleshje fizike, ku u përdor fatalisht edhe arma e ftohtë.

Autori mbeti i plagosur, por jo me mjet prerës dhe po merret në pyetje nga policia. Ai dyshohet të ketë shkuar i armatosur me thikë në lokal dhe pas mjekimit në spital është arrestuar.

Gjithashtu janë shoqëruar edhe disa persona që kanë dijeni për ngjarjen apo të dyshuar, rreth krimit të ndodhur. Janë sekuestruar edhe telefonat e të miturve për të zbardhur shkakun e mundshëm. Paralelisht po kryhen edhe veprimet mjeko-ligjore për autopsinë e trupit të viktimës në morgun e spitalit të Korçës.

Në vendngjarje kanë mbërritur shumë forca policie, që kanë rrethuar skenën e krimit me shirita dhe kanë kryer veprime hetimore. Të pranishëm edhe ekspertë nga Policia Shkencore, për të gjetur gjurmë biologjike dhe prova, ndërsa është kërkuar rreth e qark verandës së lokalit, në tavolina, pemë dekorative dhe tokë për sende materiale, apo dhe armët e krimit.

Report Tv ka siguruar pamjet e hetimeve paraprake në vendngjarje.

Njoftimi i policisë:

"Rreth orës 17:30, në fshatin Pirg, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt dyshohet me mjet prerës (thikë) mes dy 14-vjeçarëve.

Si pasojë e plagëve të marra shtetasi E. Xh., 14-vjeç, ka ndërruar jetë në spital.

14-vjeçari tjetër autori i dyshuar i ngjarjes është shoqëruar në spital, për të marrë mjekim, dhe është nën mbikëqyrjen e Policisë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes".

Ora 20:52
Policia nxjerr autorin e krimit nga spitali pas mjekimit dhe e dërgon me pranga në duar drejt Komisariatit (VIDEO)


Policia e Korçës ka nxjerrë pas mjekimit në spital autorin e dyshuar të vrasjes me thikë të 14-vjeçarit bashkëmoshatar Erald Xhejo dhe e ka dërguar në paraburgimin e Komisariatit, në pritje të veprimeve hetimore.

Këto janë pamjet që ka siguruar Report Tv nga furgoni i Policisë dhe efektivët para derës hyrëse të spitalit, teksa shoqërojnë të kapur nga krahët të miturin nën pranga, me prezencë të shumtë edhe të familjarëve të tij apo edhe të pacientëve të tjerë përpara godinës.

Mësohet se edhe i dyshuari ka marrë plagë gjatë përleshjes, por pa rrezik jete dhe pritet me interes dëshmia e tij për motivet e krimit dhe rrethanat.

 

Ora 20:25
Vrasja në Maliq/ Dy të miturit ishin konfliktuar më parë, u takuan në lokal për t’u sqaruar! Policia po merr në pyetje autorin në spital

Zbardhen detajet e para nga ngjarja e rëndë në fshatin Pirg të Maliqit pasditen e sotme.

Sipas policisë, autori dhe viktima kanë pasur konflikt më herët mes tyre, por ende mbetet e paqartë arsyeja. Përleshja fatale ka ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit në fshatin Pirg.

Dy adoleshentët janë takuar për t’u sqaruar, por kanë debatuar mes tyre dhe më pas janë konfrontuar fizikisht.

Viktima Erald Xhejo ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të marra me thikë.

Sakaq mësohet se autori ka dëmtime, por jo me thikë dhe është duke u marrë në pyetje nga policia në ambientet e spitalit.

Ora 19:31
Vrasja në Maliq/ Makina policie, efektivë, shirita rrethues, gjurmë gjaku dhe ekspertë mjeko-ligjorë në vendngjarje (VIDEO)

 

Ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e sotme në fshatin Pirg të Maliqit ka angazhuar forca të shumta policie dhe grupin hetimor, që kanë rrethuar skenën e krimit me shirita dhe mjete.

Report Tv ka siguruar edhe [pamjet e para nga vendngjarja.

Një grup ekspertësh të Policisë Shkencore kanë punuar në ambientet e lokalit për mbledhjen e gjurmëve dhe provave, teksa dallojnë efektivët në rrugën kryesore dhe ata që ndodheshin në verandën e lokalit.

Gjurmë gjaku në rrugë, karrige të rrëzuara dhe nga larg një nga tavolinat ku besohet se ka nisur konflikti.

Xh.K/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?