Tiranë- Prindi i një fëmije në kryeqytet ka bërë një denoncim në komisariatin Nr.3 lidhur me trajtimin e fëmijës së tij në kopshtin privat 'Buçko'.
Fëmija i mitur që frekuentonte këtë kopsht rezulton të jetë gërvishtur në 2 raste të ndryshme, të martën dhe të mërkurën, nga një bashkëmoshatar. Në ditën e dytë, nëna e fëmijës së dhunuar ka shkuar në ambientet e kopshtit dhe ka nisur të debatojë me edukatoret dhe pronarin e kopshtit, duke kërkuar llogari për dhunën.
Gjatë debatit, gruaja i ka thyer celularin pronarit të kopshtit, ndërsa i janë vënë në dispozicion edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat tregojnë rastet e gërvishtjeve.
I pari është gjatë kohës që fëmijët ishin në krevatët ngjitur. I mituri sipas burimeve të policisë dallohet kur fut dorën poshtë jorganit dhe e gërvisht, ndërsa në rastin tjetër ndodh kur janë në tavolinën e ngrënies.
Sipas të njëjtave burime edukatoret kanë reaguar duke i lëvizur fëmijët nga vendi. Pasi nëna e fëmijës është ankuar te kopshti i është drejtuar Komisariatit nr. 3 për denoncim.
Rasti është referuar në prokurori për vlerësim materiali për kopshtin, përfshirë edhe pamjet e kamerave, ndërsa për nënën e të miturit të dhunuar u ngrit akuzë për shkatërrim prone dhe kanosje. Zonja në fjalë ka pretenduar se pronarët e kanë filmuar gjatë kohës që ajo ka debatuar, pretendim i cili konfirmohet edhe nga burime policore.
Komente
