TIRANË- Zjarri shkrumbon banesën në lagjen "Allias" të kryeqytetit, duke i marrë jetën një të moshuari që jetonte aty i vetëm.
Ngjarja ka ndodhur sot (19 Janar), rreth orës 20:00, në rrugën “Myzafer Spaho”.
Policia bëri me dije se dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën private të shtetasit Ramazan Karimanit, rreth 75 vjeç, i cili kishte edhe probleme shëndetësore.
"Si pasojë e zjarrit, 75-vjeçari ka humbur jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit", njoftoi policia.
Gazetari i Report TV, Sokol Dema, informon se Ramazan Karimani dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor. Sipas hetuesve jetonte në kushte të mjerueshme dhe për të mbijetuar mblidhte kanaçe. 75-vjeçari sapo ishte kthyer në banesë dhe kishte ndezur një zjarr, i cili më pas ka përfshirë dhe banesën. Jetonte i vetëm në Allias.
Mbetet e panjohur ende dinamika e vatrës dhe shkakut të zjarrit, teksa priten rezultatet e ekspertimit piroteknik dhe detajet e tjera.