E rëndë në Vlorë/ Gjykata liron kundrejt 25 mln lekë 'peshkun e Madh' të tjetërsimit të pronave

10 Maj 2019, 18:55| Përditesimi: 10 Maj 2019, 21:14

  • Share

Pas 7 muaj qëndrimi në qeli, gjykata e Vlorës ka vendosur të lirojë nga burgu “peshkun e madh” të tjetërsimit të pronave në bregdetin e Vlorës, Pëllumb Petritaj. Njeriu që nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka mundur të zaptojë plazhet dhe sipërfaqet e tokës më të çmuara në Vlorë, ka dalë ka burgu falë një vendimi të dhënë nga gjyqtari i çështjes Ervin Trashi. Ky i fundit ka pranuar kërkesën e Pëllumb Petritaj për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në masë sigurimi me garanci pasurore prej 25 milion lekë të vjetra. Kjo shumë financiare është lënë si peng në gjykatë nga Petritaj, me qëllim lirimin e tij nga qelia.

Nga ana tjetër prokurori i çështjes ka kundërshtuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë për Petritaj, por në fund të gjykimit gjyqtari Trashi ka pranuar kërkesën,duke çuar nga burgu në shtëpi “peshkun e madh” të tjetërsimit të pronave Pëllumb Petritaj. Nga ana tjetër prokuroria thotë se do apelojë vendimin duke kërkuar në Apel caktimin e masës së arrestit në burg për Petritaj. Ky vendim lirimi i Petritak tregon një zbehje totale të sistemit të drejtësisë që çdo ditë e më tepër po habit me vendimet që merren për lirimin e personave që nëpërmjet veprimtarisë kriminale, kanë sjellë dëme të parikuperueshme. Kujtojmë që Petritaj rezulton i dënuar me 3 vjet burgim, në një çështje tjetër të tjetërsimit të pronave në gadishullin e Karaburunit në Vlorë. Dënimi pritet që në ditët në vijim të marrë ose jo formë të prerë në apelin e Vlorës.

Si përlau 100 ha tokë në Zvërnec

Dosja për të cilën është arrestuar në tetor të 2018 dhe tashmë në maj 2019 është liruar Pëllumb Petritaj, flet për tjetërsimin e 100 ha tokë në bregdetin e Zvërnecit në Vlorë. Në tetor 2018 me kërkesë të prokurorisë Gjykata e Vlorës veç Petritaj ka urdhëruar dhe arrestimin e Blerina Dhramit, juriste pranë hipotekës së Vlorës. Kjo pasi gjatë hetimit prokurori Albert Kuliçi zbuloi se biznesmeni Pëllumb Petritaj ka falsifikuar dosjen gjyqësore të vitit 1997 ku gjyqtar ka qenë Qatip Bylykbashi, Agim Hamiti dhe Artemisa Mece. Prona e tjetërsuar ndodhet në vendin e quajtur “Gryka e Pishës” në Nartë të Vlorës. Gjatë hetimit prokuroria zbuloi se dosja e ATP me nr.674 i përket Muhamet Bedinit dhe jo Seit Shehut që ka bashkëpunuar me Petritaj. Petritaj përfaqësonte Ramiz Shehun, Merjeme Shehun, Sadiha Shehun, Lulzim Shehun, Lavdosh Shehun dhe Seit Shehun. Pasi kanë marrë pronën prej 1 milion m2 të gjithë këta persona kanë autorizuar Petritajn t’i shesë tokën vajzës së tij Ina Petritaj.Shitja është kryer me një çmim prej 253 milion lekë, por pretendohet se lekët janë dhënë jashtë zyrës së noterit dhe pa një transaksion bankar. Kalimi në këtë mënyrë është bërë për të fshehur të kaluarën kriminale se si është përfituar kjo pronë. E gjithë prona është marrë mbi bazën e dokumentave të falsifikuara dhe duke shpërdoruar detyrën nga punonjës të administratës.

Artur Shehu sërish pas shpinës së Petritaj

Një burim i prokurorisë tha se ky është një rast tjetër i lidhur me Artur Shehun, një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Petritaj ka shërbyer në transaksione të tjera si përfaqësues i Shehut. Të dy të akuzuarit për këtë çështje janë dënuar më herët, në 27 mars dhe 6 prill të këtij viti, për akuza të ngjashme. Dhrami ishte pjesë e një grupi personash të cilët u gjetën fajtorë më 27 mars për tjetërsimin e 220 hektarëve tokë në Karaburun, 89 hektarëve në Zvërnec dhe 33 hektarëve në Palasë. Ajo u dënua me 6 vjet burg në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, ndërsa çështja u apelua si nga prokuroria edhe nga mbrojtësit. Në vendimin për masë sigurie, prokuroria thotë se pas dyshimeve kishte kryer verifikimet për pronën që ndodhej në bregdetin e Nartës, në vendin e quajtur “Gryka e Pashës”. Ajo thotë se nga praktika gjeti se prona ishte regjistruar nisur nga një vendim i gjykatës së Vlorës i dhjetorit 1997 me të cilin “i janë kthyer 100 ha pyll trashëgimtarëve të Seit Shehut”. Por sipas prokurorisë vendimi ishte falsifikuar.

Ekspertimi grafik

“Nënshkrimet (firmat) poshtë rekuizitës “Gjyqtari” , që ndodhen në faqen e pasme të fletës nr.19, në faqen e pasme të fletës nr.23, në fletën nr 27, në faqen e pasme të fletës nr.29, si dhe në faqen e pasme të fletës nr 30 dokumente këto që ndodhen në dosjen gjyqësore me numër regjistri themelor 1210 data e regjistrimit 2 gusht 1997 dhe numri i vendimit 960, 29 dhjetor 1997 objekte ekspertimi nuk janë nënshkrime firma të gjyqtarit Q.B”-thuhet në vendimin e gjykatës për marrje mase sigurie. Në të njëjtën shkresë thuhet se nga ekspertiza ishin zbuluar edhe falsifikime të tjera të bëra për qëllim tjetërsimin e kësaj prone. Sipas prokurorisë vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i 10 tetorit 1996, që referohej në vendimin e gjykatës, nuk ishte regjistruar “në arkivin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave në Tiranë, provuar kjo, nga ky institucion”. Për më shumë prona që pretendohet se është në pronësi të Seit Shehut, sipas prokurorisë del nën një emër tjetër shoqëruar me vendime të tjera të lidhura me këtë person të dytë.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Berti: 11/05/2019 00:26

    10 mije m2 i dha Mediut ne karaburun, 1 mije m2 ja dha Eli Fares, mijra m2 te tjera Fideli Yllit. Ju prisnit vendim tjeter nga gykata hahaha po nuk u pastrua politika nuk pastrohet gjyqesori.

    Përgjigju
  • Ariu: 10/05/2019 19:36

    Prisni se do bëhet shteti me këta gjyqtar

    Përgjigju
  • Xxx: 10/05/2019 19:05

    Po ne xhep sa para ka futur ky gjyqtar

    Përgjigju
  • Populli: 10/05/2019 19:01

    More keta palaco gjyqetare nuk duan t'ja dine por arrestojini sa me shpejte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?