Periferi
Periferi

E rrihnin se ishte çame! Fjalët e fundit të Bardhës: Policët talleshin me mua

5 Maj 2022, 12:14| Përditesimi: 5 Maj 2022, 16:28

  • Share

Motra e Bardhës flet me gazetarët: Do t’i tregoj të gjitha. Eshtë e sjellshme, e duruar, madje i kërkon ndjesë gazetarëve sepse nga tronditja harron apo përsërit diçka. Ka sjelljen e përulur të të gjithë shqiptarëve që dhunohen nga të tjerë shqiptarë, qofshin familjarë, qofshin fqinj, të afërm, shokë, kolegë, institucione. Flutura është ulur në divanin e shtëpisë së saj dhe tregon për motrën që nuk jeton më. Duket i njëjti divan i të gjithë shtëpive të shqiptarëve të thjeshtë. Bardha Likrama, motra e saj 52 vjecare që u hodh nga kati i tretë i pallatit ku banonte në periferi të Elbasanit, pas dhunës së ushtruar në 30 vite nga bashkëshorti dhe familjarët e familjes së tij, orët e fundit pas vendimit të vetëflijimit i kaloi sa në shtëpinë e Fluturës, sa në shtëpinë e saj: Ose do të ndahem, ose do të vras veten! Por ndërsa motra e luste të mos bënte veprime të nxituara, Bardha bëri dhe një hap tjetër: Shkoi në komisariat. Ja tregoi motrës, kishte qëndruar aty deri në 1 të natës dhe policët e kishin trajtuar si të ishte kriminele. “Policët talleshin me mua motra”, i tha Bardha, Fluturës, motrës së saj.

Dhe në fjalët e Bardhës gjejmë fjalët e qindra shqiptarëve të tjerë që kanë parë arrogancën e shtetit në përmasa gjigande mbi kurrizin e drobitur të tyre.

Vini re si flet një njeri i fortë në Shqipëri, si i rendit fjalët, si e ka tonin, vështrimin qëndrimin, zhurmën, fjalinë, veshjen dhe si flet Flutura, motra e Bardhës. Flutura rri e kërrusur, e zërin të butë edhe pse do të duhej të ulëriste sa më s’ka, dridhet ndërsa thotë dëshmi të tmerrshme: “E rrahin prej 30 vitesh, vjehrra, burri, vjehrri, kunata. Nuk e donin çame. Pse e ke marrë çame i thonin! Flinte në dysheme, I kanë thyer dhëmbët…”

Dhe për ta mbyllur gjithë kalvarin e Bardhës, nënës së tre fëmijëve, që rrihej e keqtrajtohej se ishte çame dhe kjo nuk u pëlqentë familjarëve të bashkëshortit të saj, u shfaqën policët, tallës, me siguri mosbesues, përçmues sepse në çdo konflikt shqiptar, gruaja është ajo që ka faj.

Ike Bardha, urojmë të rilindësh në një vend e familje që do të të dashurojnë pavarësisht origjinës, ngjyrës së lëkurës, gjinisë. Turpi për ne që të rrethuam, mbetet tepër i madh.

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?