Një histori e trishtë është ajo që vjen nga një prej qyteteve më të goditura nga tërmeti në Turqi. Një 10 vjeçare e quajtur Mukaddes Erva Aktas ka ndërruar jetë disa ditë pasi është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e pallatit të shembur nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi.
10-vjeçarja u nxor e gjallë nga rrënojat e banesës së saj gjashtë orë pas shembjes, ndërsa pas saj dolën i ati Abdullah Aktaş, ndërsa nëna e saj, Ayşe Betül, motra Zümra dhe halla Özlem Aktaş vdiqën.
Më shumë se 20 ditë pas tërmetit, u zbuluan edhe pamjet e kamerave të sigurisë të momenteve kur Mukaddes Erva u dërgua në ambulancë nga fqinjët e saj. Në video shihet se dikush ka marrë në krahë Mukaddes Ervën në sediljen e pasme të makinës në rrugë, më pas e ka çuar në ambulancën matanë rrugës dhe ia ka dorëzuar ndihmës mjekëve.
Fatkeqësisht vogëlushja nuk arriti të mbijetonte pavarësisht trajtimit mjekësor.
Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë më herët gjatë këtij muaji ka kaluar shifrën prej 50.000, mbi 44 mijë persona në Turqi, kurse në Sirinë fqinje, numri i viktimave deri më tani është rreth 6 mijë viktima.
Që prej tërmeteve të 6 shkurtit, sipas agjencisë turke të fatkeqësive natyrore, janë regjistruar afro 10 mijë pasgoditje. Pothuajse 530.000 persona janë evakuuar vetëm nga zonat e prekura nga tërmetet në Turqi. 1.5 milion njerëz kanë mbetur të pastrehë, ndërsa mbi 160.000 ndërtesa me 520.000 apartamente janë shembur ose janë dëmtuar rëndë.