Lajm i trishtë vjen sot nga Kosova. Futbollisti i të rinjve të Trepçës '89, Erion Kajtazi është ndarë nga jetë në mënyrë tragjike pas një sulmi kardiak gjatë ndeshjes. Skuadra e të rinjve të Trepçës '89 luante me A&N një miqësore, teksa në një moment 17 vjeçari Erion Kajtazi është rrëzuar pa ndjenja në tokë. Megjithë ndihmën mjekësore në fushë dhe transportin në spitalin e Prizrenit, djaloshi nuk ia doli të fitojë betejën më të rëndësishme.
Njoftimi i Federatës së Futbollit të Kosovës:
Federata e Futbollit e Kosovës me pikëllim të madh e njofton opinionin se sot pas një sulmi kardiak ka ndërruar jetë futbollisti i FC Trepça ’89 dhe njëherësh anëtari i ekipeve kombëtare të Kosovës, Erion Kajtazi. Talenti i madh i futbollit kosovar ka qenë duke luajtur në ndeshjen A&N – Trepça’89, në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve, kur në një moment ka rënë pa vetëdije në fushë. Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren. Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak. Federata e Futbollit e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe tërë komunitetit të futbollit për vdekjen e parakohshme të Erionit.