E veja e minatorit sfidë për rritjen e 3 jetimëve (VIDEO)

8 Nëntor 2020, 09:16| Përditesimi: 8 Nëntor 2020, 09:23

  • Share

Gjysmë thesi miell, pak vaj dhe një pjatë turshi janë të vetmet ushqime që ka në dollap familja Rushiti.

Rexhep Rushiti, u nda nga jeta tragjikisht më 29 tetor, teksa kishte shkuar të nxirrte krom.

Në një rrëfim për Report Tv, 29-vjeçarja Irena Rushiti tregon momentin kur mësoi lajmin e hidhur për bashkëshortin.

“Shkoni dhe shikojeni Rushitin se e keni në spital. Nuk më kishin tregu të drejtën. Nga ora 10-të, siç e tha doktori  kishte vdekur. Kishte nis kufoma për të ardhur këtej. Atëherë më treguan mua. Nga ora 12 e kam marrë vesh”, tha e veja e Rexhepit.

Minatori kishte frikë të punonte në galeritë e Bulqizës, ku kishte humbur dhe nënën, ndaj kishte udhëtuar 6 orë larg për në Selishtë të Peshkopisë.

“Ai me zorr priste të shkonte tek ajo punë. Thoshte këto galeri janë të rrezikume. Do ta shoh atë galeri që të punoj atje. Këtu nuk donte se thoshte janë të rrezikime”, tha gruaja e minatorit të ndjerë.

Përpos dhimbjes për të shoqin, ajo po përballet e vetme me sfidën e rritjes së fëmijëve.

“I madhi është 9-të vjeç. Goca është 8 vjeç. Çuni i vogël 6 vjeç. Duan të shkojnë në shkollë. Me u vesh e me u mbath. Pa shtëpi jam. Tani po vjen dhe dimri. Ftohtë është. Pa sobë. Asgjë nuk kam. Borxhe kam në dyqane. I lutem të gjithëve që kush të shohë të më ndihmojnë”, tregoi Irena Rushiti.

Pa punë, pa ndihmë sociale, Irena Rushiti lutet për ndihmë.

“Kam pas marrë përkrahje 50 mijë lekë në muaj. Asgjë tjetër. Ndihmë kërkoj nga shteti. Nga kushdo që më sheh.  Kemi ngel pa hëngër. Fëmijëve nuk kam çfarë të ju jap në shkollë”, përfundoi ajo.

Apelit të saj i bashkohen edhe fqinjët.

“Ka qenë shumë i varfër, tani kanë kaluar këtu. Me tre fëmijët që kanë ngel, mua më dhimbsen shumë. Me këtë fatkeqësi që ka ndodh ta ndihmojnë”, tregoi një fqinje.

“I lutem shtetit ta ndihmoje, a shoqatave. Ka ngel në rrugë kjo familje”, tha një tjetër.

Bulqiza e pasur me krom, ka prodhuar veç mjerim për familjen Rushiti e shumë të tjera që banojnë afër stokut të kromit, në ish-godinën e punëtorëve.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?