Kultura

E vërteta mbi komplotin në Bienalen e Tiranës, shfaqet filmi! Premiera në Shqipëri, Pecorara: Historinë e gjetëm në media

26 Maj, 12:21| Përditesimi: 26 Maj, 14:08

  • Share

Mund të cilësohet si një ndër mashtrimet më të mëdha në fushën e artit bashkëkohor në shekullin XX, dhe ka ndodhur pikërisht në Tiranë, në Bienalen e Parë Ndërkombëtare në kryeqytet në vitin 2001.  Historia rrëfehet mjeshtërisht në dokumentarin “Komploti i Tiranës” i regjisorit italian Manfredi Lucibello. Filmi është shfaqur për herë të parë në Shqipëri, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës, në hapësirën e “Vila 31”- Art Explora, ish vila e diktatorit Hoxha.  

“Është një histori që e gjetëm falë një artikulli në gazetë dhe më pas duke kërkuar kuptuam që ishte diçka me të vërtetë argëtuese. Donim të bënim një dokumentar që të ishte paksa ndryshe: më argëtues dhe surprizues, gjë që ia dolëm. Në vitin 2000 revista më e rëndësishme e artit evropian botonte një klasifikim për artistët italianë më të rëndësishëm. Fotografi i famshëm italian Oliviero Toscani klasifikohej i fundit dhe ai ishte xhindosur për këtë. Kështu që vendosi të kontaktojë drejtorin e revistës për t’i thënë me stilin e tij mjaft ekzagjerues, që nuk mund të ishte i fundit dhe që kishte bërë tepër për artin,. E gjithë kjo në fund përfundoi me paqe dhe Toscani u ftua për të qenë pjesëmarrës në Bienalen e Tiranës në 2001. Ky ishte vetëm fillimi i diçkaje që do të ishte një kurth i madh.  Filmi në njëfarë mënyre vendos të jetë pjesë e këtij kurthi.",- tregon për "Report TV", producenti Matteo Pecorara. 

Ai rrëfen se gjatë realizimit të dokumentarit ka qenë e vështirë vendosja e kontakteve me ata që ishin vërtet pjesë e historisë. Kontaktuan edhe Ramën, në kohën e ngjarjes kryetar i Bashkisë së Tiranës, por pa sukses.  

“I vetmi person që u përpoqëm të kontaktonim dhe u përpoqëm vërtet shumë, por ishte e pamundur ta takonim ishte Edi Rama. Ishte artist, ishte kryebashkiaku i Tiranës dhe ishte thuajse e pamundur ta intervistonim. Vendosëm të vazhdonim me dokumentarin dhe ta sillnim si një copëz arti.”, - thotë ai.

Ngjarja zë fill në dhjetor 2000, kur për Bienalen e parë të Tiranës që do zhvillohet shtatorin e 2001-shit, disa emaile u nisën në drejtim të fotografit të njohur Oliviero Toscani (i famshëm për fushatat e tij provokative reklamuese  të Benetton), me një ftesë për të kuruar një pjesë të Bienales. Përgjigjja përmes emailit për Giancarlo Politin, botues dhe kritik arti, ishte pozitive.

Në atë kohë, deri ditën e Bienales u besua që ishte Toscani ai që propozoi katër artistë: nigerianen Bola Equa, arabin Hamid Piccardo, italianin Carmelo Gavotta e sllavin Dimitri Bioy, që do të merrnin pjesë me veprat e tyre.

Gjithçka ishte një mashtrim, me artistë të sajuar me vepra të sajuara, me fotografi marrë nga interneti, video porno ose fotokopje.

Pas adresës së emailit të Toscanit qëndronte një mashtrues, i cili i kishte vjedhur identitetin duke hapur një adresë që mbaronte me '.it' dhe jo me '.com' siç ishte origjinali. Drejtori i revistës “Flash Art”, Giancarlo Politi, prej muajsh dërgonte dhe merrte emaile me një personazh që e bën edhe më të pabesueshme historinë, që ngjan me një teatër absurd.

Ngjarja mori përmasa të mëdha. Për faktin se Bienalja u hap vetëm pak ditë pas sulmeve të shtatorit 2001 në SHBA dhe pjesë e saj ishte një foto e Bin Laden u përfshi edhe Drejtoria Investigative e Antimafias e kundër terrorizmit në Itali.

Por pas gjithë këtij mashtrimi dhe pas të gjithë emrave të përfshirë fshihej një personazh që si profesion kishte përgatitjen e mbulesave të brendshme për arkivole në një zonë në afërsi të Genova-s, Marco Lavagetto. Një personazh surreal dhe absurd, njohës dhe adhurues i Kafkës, atij i pëlqen të eksperimentojë në fusha të ndryshme të artit, të shndërrohet, të krijojë e përvetësojë identitete të ndryshme.  Ai në fund u dënua për vjedhje identiteti dhe ndaj tij ra çdo akuzë penale.

Dokumentari, përveç se informues dhe argëtues ngre për publikun edhe pyetje të rëndësishme mbi personalitetin njerëzor, si dhe shqyrton në mënyrë kritike mekanizmat që i japin legjitimitet dhe vlerë artit në ditët e sotme.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?