Ratko Mladiç dhe e bija Ana Maldiç

Opinion

E vetëvrara e Ratko Mladiçit

9 Qershor 2021, 07:15| Përditesimi: 9 Qershor 2021, 07:28

  • Share

Më 25 mars 1994, agjencia e lajmeve “Reuters”, njoftonte se “Ana Mladiq, e bija e gjeneralit Ratko Mladiç, u gjend e vetëvrarë natën e së enjtes duke gdhirë e premte, në Beograd, në shtëpinë e prindërve të saj. Sipas policisë, e cila ndodhej ende në vendngjarje në mesditë, vajza e re kishte qëlluar veten me një plumb në kokë me armën e të atit. Ana Mladiç ishte njëzet e tre vjeçe, studente në Fakultetin e Mjekësisë.”

Disa nga historitë më të rënda të qytetërimeve njerëzore, dëshpërimisht, mund të kuptohen vetëm përmes njohjes së disa pjesëve që përballë përmasave të tërësisë, duken si detaje periferike. Më 22 nëntor 2017, ish-komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiq, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë, nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë. Ai qe dënuar edhe për vrasje, torturë, dhunime, shfarosje dhe të tjera krime të rënda që gjyqtari Alphonso Orie, i pati klasifikuar si “më të rëndat që i njeh njerëzimi”.

Mbi të gjitha këto, emri i gjeneralit serb Mladiq do të mbetet i lidhur gjithmonë me rrethimin e Sarajevës dhe masakrën së Srebrenicës. Më i gjati rrethim dhe më e madhja masakër në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Në mars të vitit 2016, po kjo gjykatë pati dënuar me 40 vjet burgim Radovan Karagjiçin, Presidentin e Rpublikës Serbe të Bosnjës gjatë luftës dhe partnerin kryesor të Mladiçit në krime lufte. Teksa së fundi u njoftua se Karagjiç do të transferohet në Mbretëri të Bashkuar për të vuajtur burgimin praktikisht të përjetshëm të tij, Ratko Mlladiçit iu shqiptua verdikti përfundimtar. Të martën e 8 qershorit 2021, ai humbi apelin për burgim të përjetshëm, që iu konfirmua përfundimisht. Dyshja serbe e kriminelëve të luftës në Bosnje, Karagjiç dhe Mladiç, do t’i mbyllin jetët e tyre në burg!

Në rastin e Karagjiçit, si mendje kriminele, pati bërë shumë përshtypje maskimi i tij si mjek alternativ, aq më tepër që profesioni i tij ishte psikiatër. Nën emër të rremë, si Dragan Dabiç dhe me pamje krejt të transferuar me mjekërr dhe flokë të gjata, Karagjiç i kishte bishtnuar arrestimit për më shumë se një dekadë në Beograd, derisa u zbulua dhe u kap më 2008.

Ata që kanë dashur të depërtojnë në psikologjinë e Ratko Mladiçit, i kanë dhënë një vend kyç një vdekje të veçantë mes mijëra vdekjeve që e kanë rrethuar këtë gjeneral të ushtrisë serbe.
Vdekjet e mijëra njerëzve, qëllon që vetëshpjegohen nga një vdekje e vetme. Lufta e Bosnjes dhe masakra e Srebrenicës si episodi më i tmerrshëm i saj, në përgjithësi janë të njohura, por përtej rreth 100.000 vdekjeve gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ka një vdekje që tregon aq shumë për kriminelin serb të luftës Ratko Mladiç.

Më 25 mars 1994, agjencia e lajmeve “Reuters”, njoftonte se “Ana Mladiç, e bija e gjeneralit Ratko Mladiç, u gjend e vetëvrarë natën e së enjtes duke gdhirë e premte, në Beograd, në shtëpinë e prindërve të saj. Sipas policisë, e cila ndodhej ende në vendngjarje në mesditë, vajza e re kishte qëlluar veten me një plumb në kokë me armën e të atit. Ana Mladiq ishte njëzet e tre vjeçe, studente në Fakultetin e Mjekësisë.”

Për shumë vjet, kjo vdekje do të bëhej temë e shumë spekulimeve pasi që vetë i ati i të vdekurës, gjenerali Mladiç kishte refuzuar ta pranonte atë si vetëvrasje, duke këmbëngulur që e bija e tij ishte vrarë nga kundërshtarët politikë të tij. Pushteti i Mladiçit kishte bërë që versioni i tij për vrasjen e pretenduar të së bijës, të imponohej si i vërtetë ose si kinse i vërtetë, për një kohë të gjatë.

Por dymbëdhjetë vjet pas këtij rasti, më 25 mars 2006, oficeri policor që kishte hetuar këtë rast, kishte deklaruar për gazetën “Kurir” se pavarësisht asaj se çfarë duan të besojnë njerëzit, ai do ta thoshte të vërtetën duke thyer heshtjen e tij.
Dhe e vërteta, ishte rezultati i hetimit në vendngjarje, në katin e dytë të shtëpisë së familjes Mladiç, ku Ana ishte gjetur e vdekur në shtrat, me një revole në dorë. Ishte pikërisht kjo revole, ajo që sqaronte qëllimin e Anës dhe atë që e kishte çuar vajzën e re t’i jepte fund jetës së saj. Ajo ishte një 7.65 milimetërshe që Ratko Mladiç e kishte marrë dhuratë nga Akademia Ushtarake e Komandës, kur ishte graduar major, kohë kjo kur ai shërbente si zëvendëskomandant i trupave ushtarake me bazë në Prishtinë.

Sipas Bosa Mladiqit, gruas së gjeneralit, krisma e plumbit që i kishte shpuar tëmthin të bijës, ishte dëgjuar në ora 6 të mëngjesit. Në shtëpi nuk kishte shenja të hyrjes së ndokujt. Përfundimi zyrtar i hetimeve policore: Ana Mladiq ishte vetëvrarë! Hetimet e mëtutjeshme, tregonin që ajo i kishte përjetuar shumë rëndë akuzat e gazetave ndaj babait të saj për vrasjet në Bosnjë.

E tërë kjo histori, që meriton të kujtohet sa herë që Ratko Mlladiç bëhet temë diskutimi, është rrëfyer me shumë shkathtësi nga Lionel Duroy de Suduiraut, i cili e ka bërë këtë histori subjekt të një romani që ai e ka titulluar “Dimri i njerëzve” (“L’Hiver des hommes”). Në këtë libër të vitit 2012, misteri i vdekjes së Ana Mladiqit, vjen i treguar nga Marku, një shkrimtar francez që pasi është divorcuar nga gruaja, ndërmerr një udhëtim në Bosnje për të hulumtuar këtë rast me idenë për të shkruar një libër mbi të.

Duke takuar njerëz që kishin luftuar me të apo që e kishin njohur gjeneralin Mladiç dhe duke intervistuar ata që mund të ofronin ndonjë informacion për vajzën e tij, shkrimtari francez heton me shumë durim të vërtetën e njohur nga shumica por të pathënë për vetëvrasjen e Ana Mladioçit. Tregimet rreth jetës së familjes së gjeneralit, nxjerrin në pah që revolja me të cilën Ana kishte vrarë vetën, ishte arma më e preferuar e babait të saj, të cilën ai nuk e përdorte dhe të cilën e ruante për të shtënë me të ditën kur Ana do të bëhej nënë kurse babai gjeneral do të bëhej gjysh.

Por, përse Ana kishte menduar të vetëvritej pikërisht me këtë revole, që i ati e ruante ta shkrepte kur ajo të bëhej nënë? Kjo kuptohet nga motivi i vetëvrasjes së saj. Ata që kishin qenë afër Anës në kohët e fundit para se të vetëvritej, tregojnë që ajo ishte dëshpëruar shumë nga artikujt e gazetave evropiane që e quanin babain e saj “kasapi i Bosnjes”. Gazetat evropiane e kishin rrënuar imazhin që Ana kishte për babain e saj, duke e treguar atë si një frikacak, oportunist, një i çmendur i verbuar nga urrejtja që po aplikonte në Bosnje me shumë zell, planet për shfarosjen e myslimanëve, të bëra nga diktatori Sllobodan Millosheviç në Beograd dhe nga Radovan Karadgjiq në Palë.

Vetëvrasja e Ana Mladiçit kishte ngjarë vetëm gjashtë javë pas të shtunës së 5 shkurtit 1994, kur ushtarët e babait të saj gjeneral, kishin gjuajtur një predhë murtaje në tregun e Sarajevës në mes të ditës, duke vrarë gjashtëdhjetë e tetë njerëz e plagosur gati dyqind. Kjo masakër e qëllimshme kishte bërë aq jehonë ndërkombëtare, sa që shtypi serb nuk kishte arritur ta mbulonte me dezinformimet e tij. Lajmi kishte mbërritur në veshët e Anës dhe ajo kishte rënë në dëshpërim me hipokrizinë e të atit, që gjithmonë kishte qenë modeli i saj.

Teoritë psikanalitike për personalitetin dhe psikologjinë e individit, i kushtojnë shumë rëndësi raportit të çdo indiviid me babain, sidomos në raste kur ai idealizohet nga fëmijët. Rrënimi i figurës atërore, për Anën duhet të ketë qenë një goditje e papërballueshme, që e ka shtyrë atë drejt një vendimi të shpejtë, për tu hakmarrë ndaj babait mashtrues, duke e vrarë veten. Ana Mladiç u vetëvra mbase jo se nuk donte më të jetonte, por se donte t’i hakmerrej të atit duke e zhbërë veten, me armën e tij të preferuar, që ai e kishte veçuar për ditën më të rëndësishme në raportet e tij me të bijën.

Vetëvrasja e Ana Mladiçit, është vetëvrasja e vetë Ratko Mladiçit, e figurës së tij prej babai. Ana Mladiç, nuk ishte vetëvrarë, ajo ishte vetëvrarë nga i ati i saj. Ana Mladiç, është e vetëvrara e Ratko Mladiçit. Mbase vrasja më e veçantë e një prej kriminelëve më të mëdhenj në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Më 2019, me kërkesën e tij, Ratko Mladiç ishte liruar për shtatë, që ta vizitonte varrin e të bijës Anës, në 25-vjetorin e vdekjes së saj (24 mars 1994). Vizita qe realizuar nën masa të rrepta sigurie dhe pas garancës së ofruar nga shteti serb që Mladiç do të kthehej sërish në Hagë. Kjo mund të mbetet vizita e mbramë e Mladiçit në Serbi, meqë pjesën tjetër të jetës do ta kalojë në burg.

I vlerësuar edhe nga kritika dhe i shqipëruar nga Krenar Hadëri, romani “Dimri i njerëzve”, është një udhëtim që e shpien lexuesin nga Banja Luka në Pallë dhe Sarajevë, mes kujtimeve të trishta, urrejtjeve dhe historive me plot gjak të boshnjakëve, serbëve e kroatëve. Përmes rrëfimeve të atyre që dikur kishin luftuar për gjeneralin serb, të balancuara me historitë e pabesueshme të atyre që u kishin shpëtuar plumbave të këtyre të parëve, por që kishin humbur shumë nga njerëzit përreth, Duroy rrëfen këtë histori me shumë palë, në këtë roman dokumentar, për vdekjen ndoshta më të rëndësishme në jetën e Ratko Mladiçit. Mes lokaleve të varfëra që rëndojnë erë rakie, e ku fotografia e Mladiçit dhe guslla serbe qëndrojnë të varura bashkë nëpër mure, me këngët heroike serbe, që me fanatizëm këndohen për historitë e mijëra vrasjeve të të dënuarit Ratko Mladiç, që gjithë pjesën tjetër të jetës së tij do ta kalojë në qeli burgu. E vetmja ‘vrasje’ e Ratko Mladiçit, për të cilën kurrë s’do të ketë një këngë me gusëll, është ‘vrasja’ e të bijës, Anës. Në jetëshkrimin e tij, Ana do të mbetet, e vetëvrara e Ratko Mladiçit!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?