Edhe 3 vite më shumë letra me vlerë? Propozimi socialist shqyrtohet pas përgjigjeve nga ‘Ekonomia’! Braçe: Proces i dështuar

8 Prill, 16:19| Përditesimi: 8 Prill, 17:34

  • Share

TIRANE - Pagesa për legalizimin e shtëpisë, për privatizimin e një pronë apo për blerjen e një objekti të pa-privatizuar do të vijojë të bëhet pjesërisht me letra me vlerë. Afati i përdorimit të bonove të privatizimit ka përfunduar me 31 dhjetor 2023, dhe propozohet që të shtyhet deri më 31 dhjetor 2027.

Por teksa ky propozim i deputetes së PS-së Antoneta Dhima u diskua në komisionin e ekonomisë pyetjet e ngritura ishin të shumta, të cilat nxjerrin në pah problemin e pazgjidhur të 3 dekadave me mos inventarizimin e pronave publike.

“Sa pronarë toke kanë përfituar nga shtyrja e fundit në dy vite, sa janë te shpërndara, ka pasur projekte zhvillimore? Ku ndodhemi në dy vitet e fundit sepse po shtyjmë afatin  por pa ditur se çfarë ka ndodhur dy vite për të njëjtin proces. Nëse ministria ka informacion se procesi ka dështuar dhe duhet dhe njëherë shtyrja e afatit e një numri  të konsiderueshëm objektesh nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme që do i shpërndahen pronarëve, a ka databazë për këtë. A keni informacion për këto prona të konsiderueshme që përmende ne relacion?”, ishin disa nga pyetjet e ngritura nga Jorida Tabaku në komision.

“Në duar të kujt janë sot këto bono privatizimi, dhe sa nga këto bono janë përdorur në procesin e legalizimit dhe sa në atë të privatizimit”, pyeti deputetja e PD, Emilia Koliqi.

“Që kjo ishte një gënjeshtër e madhe që në vitin 1994-1995 kjo u mor vesh, e që u tjetërsua më pas si një instrument korruptiv për të marrë pasuri publike edhe kjo është e vërtetë. Ka ardhur momenti për të bërë një analizë se sa lekë u emetuan, kujt ju shpërndanë dhe çfarë ka ndodhur me vlerën e tyre. Këtij komisioni i vlen më shumë se shtyrja e afatit, të kuptojë se çfarë ka ndodhur me këtë proces, dhe më pas ta shtyjë apo jo këtë proces. Ta shohim çfarë ka ndodhur kush ka përfituar, për të kuptuar sa e madhe ishte gënjeshtra për të parë se si u transformua ky instrument korruptiv. Ka dështuar si instrument për ti bërë të gjithë të pasur, sepse kështu u tha në 1995-ën. Nëse ka përfituar kjo pakicë, kjo praktikë të ndalet këtu”, u shpreh Erion Braçe në komision.

Diskutimi nëse do të ketë apo jo shtyrje për këtë afat do të bëhet vetëm pasi Ministria e Ekonomisë të jetë përgjigjur mbi pikëpyetjet e ngritura.

“Do ta shqyrtojmë këtë çështje në komision, ditën kur do të sillni informacionin në lidhje me bonot”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi, duke ju drejtuar përfaqësuesve të ministrisë së Ekonomisë të pranishëm në komision.

Përdorimi i bonove të privatizimit është një praktikë që ndiqet që nga viti 1995, dhe është shtyrë 9 herë gjatë këtyre viteve. Këto letra me vlerë janë përdorur kryesisht për privatizimin e objekteve shtetërore dhe legalizimin e banesave.

Referuar relacionit të projektligjit “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit”, përmes shtyrjes së këtij afati, ju jepet mundësia qytetarëve që një pjesë të faturës së legalizimit ta paguajnë me bono privatizimi (letra me vlerë).

Po ashtu edhe pronarët mund ti përdorin këto bono, për të parablerë objekte që nuk janë privatizuar nga institucionet, dhe që janë të ndërtuara pjesërisht në pronën e tyre.

“Mundësitë për përdorimin e bonove dhe lekeve te privatizimit janë në këto drejtime:

-Një numër i konsiderueshëm i objekteve që administrohen nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, organet e pushtetit vendor etj nuk janë privatizuar ende. Shume prej këtyre objekteve shtrihen ne pronat e ish-pronareve, të cilëve u është njohur apo kthyer prona me vendim te Komisionit te Kthimit te Pronave. Duke qene se pronaret e trojeve kane te drejtën e parablerjes se objekteve qe ngrihen mbi to, kjo masë do t'i ndihmoje ata për të likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve me bono apo leke privatizimi.

-Punonjësit e shoqërive aksionare mund t'i përdorin bonot dhe leket e privatizimit për blerjen e aksioneve te këtyre shoqërive.  -Një numër i konsiderueshëm objektesh apo banesash janë ne procesin e legalizimit, nëpërmjet ALUIZNI-t. Bonot dhe leket e privatizimit mund te përdoren edhe ne këtë proces.

-Ne privatizimin e objekteve shtetërore të dhëna me kontratë qiraje e apo entiteoze. Kur këto objekte u shiten drejtpërdrejt qiramarrëseve, te cilët mund të paguajnë deri ne 80 për qind te vlerës me bono apo leke privatizimi”, thuhet në relacion.

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?