Banesat sociale nuk do të ndërtohen vetëm nga shteti por edhe nga privati. Në rast se njësitë e qeverisjes vendore nuk do të kenë mundësi financiare për t’i ndërtuar, sipas vendimit më të fundit të qeverisë shqiptare, ato kanë të drejtë të kërkojnë ndihmën e privatit.
Nëpërmjet vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave janë miratuar kushtet dhe pikat e kontratave që pushteti vendor do të lidhë me kompani private për ndërtimin e banesave sociale. Njësitë e vetëqeverisjes vendore sipas këtij vendimi, duhet që fillimit të analizojnë dhe bëjnë planifikimin e zonave që do të zhvillohen për strehim në territorin e tyre, si edhe të planifikojë fondet e përcaktuara për të përballuar zhvillimin e zonës me të ardhurat e veta.
Më pas ato duhet të ngrenë një grup pune që të kryejë studimin paraprak për zhvillimin e zonës, ku përfshihen analizimi i kostove, kërkesat për banesa në treg apo nevoja për banesa sociale. Ato do të vlerësojnë nëse kanë mundësi financiare për ta realizuar me të ardhurat e veta zhvillimin e zonës, ose ka nevojë për bashkëfinancim nga subjekte private ose nga buxheti i shtetit. Në rast të pamundësisë financiare, bashkitë do të shpallin thirrje për privatët, duke u vënë në dispozicion truallin.
Thirrja për të konkurruar dhe dorëzuar dokumentacionin e kërkuar do të shpallet në Buletinin e Njoftimeve Publike, dhe në rast se do të ketë më shumë se një kompani të interesuar do të jetë njësia e vetëqeverisjes vendore që do të zgjedh kompaninë me ofertën më të favorshme.