Ambasadori Gonzato dhe Berisha

Politikë

Edhe BE përgënjeshtron Sali Berishën pas lajmit se u hoqën emra banditësh nga raporti i OSBE-ODIHR: E pavërtetë, dezinformimi dëmton besimin e publikut në proceset demokratike

1 Maj, 15:22| Përditesimi: 1 Maj, 16:52

  • Share

TIRANË- Pas djalit të Donald Trump dhe Richard Grenell, edhe Bashkimi Europian ka përgënjeshtruar Sali Berishën. Reagimi i delegacionit të BE në Tiranë vjen pas një lajmi të publikuar në portalin e familjes Berisha, ku pretendohej se ambasadori Silvio Gonzato ka hequr nga raporti i OSBE-ODHIR emra banditësh dhe policësh të përfshirë në krim elektoral.

Por, është vetë Bashkimi Europian që e përgënjeshtron këtë lajm duke theksuar se artikulli është i pavërtetë. Në reagimin e ndarë në Facebook, BE thekson se raportet e OSBE-ODHIR janë të pavarura, ndërsa shton se dezinformimi mund të dëmtojë besimin e publikut në proceset demokratike.

“Artikulli i publikuar nga Syri.net, që pretendon se Delegacioni i BE-së në Shqipëri apo Ambasadori kanë ndërhyrë për të hequr emra nga raporti paraprak zgjedhor i OSBE/ODIHR, është i pavërtetë. Raportet e vëzhgimit zgjedhor të OSBE/ODIHR janë të pavarura, të paanshme dhe bazohen vetëm në gjetje të verifikuara nga ekipet e tyre të vëzhguesve. Dezinformimi mund të dëmtojë besimin e publikut në proceset demokratike”, thuhet në reagimin e BE.

Reagimi i BE

Por, çfarë pretendon portali i familjes Berisha?

Në një artikull të publikuar më 30 prill, portali i familjes Berisha pretendon se amabsadori Gonzato ka ndërhyrë në momentin e fundit për të hequr disa emra konkretë nga raporti paraprak për zgjedhjet e 11 majit. Në artikull pretendohet se në raport kishte emra banditësh, drejtorësh që janë angazhuar në krim elektoral, por janë fshirë.

“OSBE/ODIHR publikoi raportin paraprak për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, ku thuhet se “ka raste të vazhdueshme korrupsioni të profilit të lartë dhe shqetësime në rritje mbi qeverisjen demokratike dhe lirinë e shprehjes”. Raporti paraprak për zgjedhjet i OSBE/ODIHR dukej se ishte kritik, por në momentet e fundit me ndërhyrjen e ambasadorit te BE në Tiranë, Silvio Gonzato janë hequr disa emra konkretë nga raporti.

OSBE/ODIHR ka pasur në raport emra banditësh, drejtorësh, shefa policie në Elbasan që janë angazhuar në krim elektoral, por që me ndërhyrjen e zyrtarëve të BE në Tiranë, emrat janë hequr nga raporti.

Ky vendim ka ardhur me argumentin që Shqipëria ka hapur negociatat dhe nuk mund ta vizatojmë si vend me krim dhe manipulim zgjedhjesh. Sipas vlerësimit të OSBE/ODIHR, këto zgjedhje përfaqësojnë një tjetër moment kyç për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, sidomos në kuadër të negociatave të saj të vazhdueshme për anëtarësim në Bashkimin Europian. Raporti thekson se shumica e sugjerimeve për përmirësim të procesit zgjedhor bërë nga kjo organizatë mbeten të pazbatuara”, shkruhet në lajm. 

Kujtojmë se vetëm 4 ditë më parë, djali i Presidentit Amerikan dhe emisari special i Donald Trump, Richard Grenell përgënjeshtruan Partinë Demokratike. Të dy njëzëri thanë se një shkrim i publikuar në median e drejtuar nga shefi i zyrës së shtypit të PD Alfred Lela, ku pretendohej se djali i Trump anuloi një takim me Ramën, është i rremë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?