PARIS - Franca, me synimin për përdorime ushtarake, po i bashkohet Shteteve të Bashkuara në kërkimin e aksesit në pasurinë e madhe minerale të Ukrainës, tha sot ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu.
Lecornu i tha radiostacionit ”France Info” se bisedimet me Ukrainën për marrjen e lëndëve të para të vlefshme për industrinë franceze të mbrojtjes kanë vazhduar që nga tetori.
“Industria jonë e mbrojtjes do të ketë nevojë për një numër të lëndëve të para shumë të rëndësishme në sistemet tona të armëve, dhe jo vetëm për vitin e ardhshëm, por për 30 ose 40 vitet e ardhshme”, tha Lecornu.
Ministri tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë një sërë propozimesh, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për Francën.
Gjatë një vizite të fundit në Paris, Zelensky prezantoi çështjen e burimeve natyrore si pjesë e vizionit të tij strategjik afatgjatë për Ukrainën.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se Zelensky do të nënshkruajë një “një marrëveshje shumë të madhe” për pasurinë minerale të Ukrainës kur të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të premten.
Bashkimi Evropian kishte nisur një partneritet strategjik të lëndëve të para me Kievin në vitin 2021 – përpara se të fillonte pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.
Megjithatë, ky partneritet nuk sjell asnjë detyrim për Ukrainën apo trajtim preferencial për BE-në.
Detajet e marrëveshjes që Trump dhe Zelensky do të nënshkruajnë nuk janë bërë të ditura dhe është e paqartë nëse Uashingtoni po ofron garanci konkrete sigurie në këmbim të pasurive minerale të pashfrytëzuara. /ata/
Komente
