Edhe Makiaveli shqiptar, Konica, nuk ka se çfarë t’i bëjë PD-së

22 Mars 2022, 19:19| Përditesimi: 22 Mars 2022, 19:20

  • Share

Ajo që të bën ta sfidosh Konicën në kohën tonë është pikërisht saktësia e mendimit të tij filozofiko-antropologjik për shqiptarët. Për fat të keq është i vërtetë në të gjithë hidhësinë e vet. E megjithatë, edhe pse e njihte mirë këtë realitet, njësoj, ai vetë, e mbrujti me bashkëkohësit e tij, madje në skenën politike do mbahet mënd shpesh si ngatërrestar dhe cinik. Aman, pena e tij dhe mbi të gjitha mendimi për bashkatdhetarët është e rrallë. Në një farë mënyrë mund të quhet Makiaveli shqiptar, por që ndryshe nga ai shkon më shumë tek diagnoza dhe shumë më pak te zgjidhjet reale. Në një farë mënyre, kultura e gjerë dhe përvoja e jetës, ia kish diktuar kotësinë e përpjekjeve për të ndriçuar demokratikisht shqiptarët.

Një shekull më vonë, Shqipëria, sa i përket ndryshimit të vet filozofik-social, është pothuaj e njëjta. Akuzojmë të tjerët, por asnjëherë veten. Kapemi me mish e me thua pas pushtetit. Nxjerrim fare pak mësime nga e shkuara. Nuk kemi ngritur ende një sistem ekonomik, si ta ruajmë vendin, por edhe të përfitojmë dhe të begatohemi. Ngado jemi të fundit. Për fat të keq.

Shembulli më i gjallë është Partia Demokratike. Partia kryesore e opozitës po e tregon më së miri këtë në ditët e fundit, kur pas dorëheqjes së z. Basha është zhytur në një kaos, ku më shumë sesa bashkimi, të gjithë duket se kanë në kokë kolltukun e kryetarit. Nën sloganin e shumë-përdorur për të mirën e PD-së, anatemohet cilido nga anëtarët që jep një mendim ndryshe, nuk dëgjohet mendimi alternativ, kurse institucioni i zgjedhjeve po tregon se është nëpërkëmbur sistematikisht. Në javët e fundit kanë qenë vetë anëtarët e PD-së që e kanë pranuar këtë. Por konflikti për të mbajtur me një dorë të fortë partinë dhe nën urdhrin e padiskutueshëm të 1-shit e ka transformuar këtë parti gati pa identitet. Dhe, paçka humbjeve të njëpasnjëshme asgjë nuk ka ndryshuar. Ironia është se PD-ja nuk ka mësuar por u është kthyer me dorë të fortë dhe cinizëm deri grupeve shoqërore që e kanë mbështetur si pakkush. Askush nuk do harrojë si i nxorën nga greva e urisë të përndjekurit, çfarë ka ndodhur me ish-pronarët sa i përket njërit prej problemeve më të madha në vend asaj të pronave apo përballjes me të persekutuarit.

“Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë ment dhe ndërtohen. Ne shqiptarët s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk e ndryshojmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po u thom: në njëqint vjet, në vafshim si vemi, do të jemi aqë poshtë sa dhe sot.”, shkruante dikur Faik Konica

Por Partia Demokratike tashmë është në udhëkryqin e jetës së saj politike, kur anëtarët e grupit parlamentar që diku ishin për shmangien e Berishës, tashmë i shmangen dokumentit real për të, që ai të largohet nga gara. Ndërsa Basha ende pa u tharë boja e dorëheqjes ka nisur punën me bazën për t’u rizgjedhur; është Berisha nga ana tjetër që punon sistematikisht me strukturat e veta, për të ngritur një formacion tjetër… A e bën serioze kjo Partinë Demokratike? Me sa duket jo, teksa çdo gjë varet nga vullneti i dualiteti Berisha-Basha dhe ku çdo retorikë përmblidhet tek narrativa e tyre. Paradoksi i Partisë Demokratike dhe i “Shtëpisë së Lirisë” është se edhe pse morën një mësim jo të vogël më 6 mars, një kah po e konsideron si fitore të madhe, që do të thotë se rruga për ndryshim është gati e pamundur. Më shumë akoma: tashmë të gjithë u duket se mund të jenë kryetarë të PD-së dhe nuk i fshehin më fare ambiciet e tyre. Po cili mund ta drejtojë realisht partinë? Në një parti me kanone demokratike kjo do ishte gjëja më e lehtë. Propozoheshin kandidatura dhe votoheshin në Kuvendin e tyre. Por cilido që e ka këtë vetëbesim dhe mundohet të blejë mbështetjen e tjetrit te PD-ja, mu të parin pengesë, ka vetë aleatin e tij.

Dhe, sërish na vjen në ndihmë Konica: “Një studiues gjerman, dr. Herbert Louis, pohon se në Shqipëri nuk ekziston një dukuri e tillë si turma. “Një nga përshtypjet më të forta që më ka lënë kontakti i gjatë me popullsinë shqiptare, thotë dr. Louis, është me siguri kjo që, te çdo shqiptar ka një njeri me vetbesim. Çdo individ, qoftë i zgjuar ose budalla, ka një aftësi të habitshme për të vendosur vetë…”. Mungesa e kësaj fryme të kopesë mund të jetë interesante, por ajo ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë.”

Por kur artikulohet kaq shumë për demokracinë e PD-së pse nuk vendoset në mënyrë demokratike për të ardhmen e saj?! Kjo sepse është e qartë se në PD nuk ka ide, ka thjesht modalitete se cili do të marrë partinë dhe do të përfitojë prej saj. Idealistët rrinë dhe vështrojnë, si tek Kronin. Edhe “Foltoret” e panumërta të Berishës edhe pse në disa syresh u shpërhapën ide, ato do hidhnin më shumë slogane kurse kinse Mea Culpa-e vetë Berishës për emërimin e Bashës, akt që e njolloste personalisht atë për drejtimin e PD-së, as nuk bënin fare përshtypje!!!

Dhe, ja ku jemi. Duket se Partia Demokratike e ka mbyllur ciklin e saj dhe është i pari formacion i madh që po shkon drejt zhbërjes në Shqipërinë e pas viteve ‘90, sepse u mbajtën te individi dhe jo tek e ardhmja, tek idetë e të ardhmes. “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”. Të thëna e të shkruara nga Konica këto fjalë janë më të qarta se kurrë, paçka se ky Makiavel shqiptar…nuk arriti më shumë sesa një publicist, botues i mirë, polemist i shquar dhe diplomat. Tek e fundit, ndaj ishte shqiptar aq i mënçur pasi duke folur për ne fliste dhe për veten e tij. Por, këtë sot pak e dëgjon, sepse tek PD-ja kriza e madhe është përshkallëzuar…madje edhe Konica vetë nuk do mund ta parashikonte që fjalët e tij të ishin saktësisht aq të gjalla.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?