Edhe “Matrix” flet shqip! Nuredin Dumani: E ka përdorur Suel Çela

4 Dhjetor, 15:41| Përditesimi: 4 Dhjetor, 15:54

  • Share

Aplikacioni “Matrix” që pritet të fundosë edhe më tej bandat e krimit tashmë që u arrit të zbërthehet nga autoritetet europiane, ka folur edhe shqip! Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit, Europol, konfirmon për Report Tv, se në mesin e 33 gjuhëve kanë deshifruar edhe mesazhe në shqip, duke konfirmuar se kjo platformë është përdorur edhe nga grupet kriminale të Shqipërisë.

Kjo është një provë më e fortë në duart e drejtësisë në vendin tonë, pasi për këtë mjet të koduar komunikimi mes botës së krimit, SPAK-ut i kishte rënë në vesh nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Pas arrestimit, Dumani rrëfeu se i shumëkërkuari i drejtësisë Suel Çela i kishte shkruar në aplikacionin “Matrix” për të vrarë Lulëzim Mashën, biznesmeni i cili mbeti i plagosur te Liqeni i Thatë në Tiranë në janar 2022.

“Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në “Matrix”, më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës “Uilson” Lulëzim Masha për 150.000 Euro. Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhajn me aplikacionin “Matrix”. Ditën e ngjarjes Riku komunikoi me mua në Matrix dhe me tha “kusho lëre se u fëlliqëm”. Riku më tha se i ishte bllokuar arma”, deklaronte Nuredin Dumani.

Kjo dëshmi e të penduarit të drejtësisë, nëse faktohet nga autoritetet si e vërtetë, tregon se në Shqipëri aplikacioni Matrix është përdorur të paktën në vitin 2022 (kur është porositur vrasja e Lulëzim Mashës), dhe të paktën nga një prej krerëve të bandave më të rrezikshme në vend, siç është Suel Çela në Elbasan.

SPAK ka bashkëpunuar me autoritetet e huaja partnere për zbërthimin e dy aplikacioneve “SkyECC” dhe “EnchroChat” të zbërthyera në pranverën e vitit 2021, biseda mes bandave që kanë shërbyer hetuesve si indicie për të çuar pas hekurave dhjetëra anëtarë të bandave për vrasje e kryesisht trafik kokaine.

I njëjti bashkëpunim pritet të vijojë edhe për të marrë bisedat në shqip të aplikacionit më të fundit të rënë në duart e autoriteteve, “Matrix”. Sa kohë do t’i duhet autoriteteve të huaja për të shpërndarë këto komunikime për të ndihmuar në hetime, kjo pritet të shihet në vijim.

Por, a ka pasur edhe policë në “Matrix”?

1 vit më parë, ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se Europol po zhbllokon 2 aplikacione të tjera, me gjasë njëri prej tyre edhe “Matrix”. Në atë periudhë Balla paralajmëroi që policët do t’i nënshtrohen plotësimit të formularëve të vetëdeklarimit nëse i kanë përdorur ose jo në shërbim të krimit, njëlloj siç u bë për “Sky” dhe “Echro”.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilir: 04/12/2024 15:48

    Pse asnje nuk flet per takim e metes dhe nurefin dumanit tek 313??

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?